Në disa qytete të Arabisë Saudite, cigaret, bashkë me produkte tjera që konsiderohen të dëmshme për shëndetin, janë zhdukur nga raftet pas spekulimeve që po qarkullojnë në mediat sociale se qeveria do të rris çmimin e tyre.
Tre dyqane në Riad që i vizitoi ekipi i agjencisë së lajmeve Reuters kanë thënë se nuk kanë cigare në shitje ndërsa të njëjtën gjë e kanë raportuar në mediat sociale edhe përdorues të shumtë në Jeddah të shtunën dhe të dielën. Disa thonë se shitësit me pakicë të këtij produkti po i mbajnë cigaret në stok derisa qeveria të del publikisht me njoftimin për rritje të çmimit, transmeton Koha.
Në Dammam, kryeqytet i Provincës Lindore, së paku një dyqan tashmë ka rritur çmimin e cigareve të prodhuara Philip Morris për 4 dollarë nga rreth 3 dollarë sa ka qenë më parë.
Ministria e Financave, në një deklaratë për buxhetin e vitit 2016 në muajin dhjetor, ka thënë se do të aplikojë “taksa shtesë për produktet e dëmshme siç janë duhani, pijet freskuese dhe produkte të ngjashme”, por nuk ka specifikuar datën se kur do të rriten këto çmime.
Megjithatë, blerës në Riad kanë thënë se çmimi i lëngjeve me sheqer nuk është rritur ende.
Duhani në Arabinë Saudite shitet fshehur, pasi ajo është e ndaluar me ligj të pihet.