Arrestohen dy gjinekologë në Gjilan, për vdekjen e pacientes pas lindjes

Dy gjinekologët e Spitalit të Gjilanit, M.Sh dhe H.Z. janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë si të dyshuar për vdekjen e mësueses Arbenita Spahiu.
Arrestimin e tyre, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Jetish Maloku e ka konfirmuar për ‘Zërin’.

Sipas tij, sot, bazuar edhe në mendimin preliminar nga ekspertiza mjeko-ligjore e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë në Departamentin për krime të rënda kanë filluar hetimet bazuar në dyshimet eventuale për neglizhencë dhe mosdhënie të ndihmës profesionale.

“Në këtë rast janë intervistuar personeli mjekësor që ka marrë pjesë në rastin e tani te ndjerës Arbenita Spahiut e cila pas lindjes kishte ndërruar jetë, për çka edhe është ngritur dyshim për lëshime profesionale mjekësore”, ka thënë një burim në Prokurori të Gjilanit.

Ai ka thënë se janë ndalur në mbajtje me vendim të prokurorit të çështjes në kohëzgjatje prej 48 orësh, mjekët gjinekologë M.Sh dhe H.Z , kurse në procedurë e sipër në intervistim janë edhe disa mjekë nga reparti gjinekologjik i këtij spitali.

Burimi nga Prokuroria kanë thënë se pritet të ketë edhe arrestime tjera të zyrtarëve të këtij spitali.

Gazeta “Zëri” ka raportuar ditë më parë për vdekjen në rrethana të dyshimta të mësueses Arbenita Spahiu, e cila ndërroi jetë në Spitalin e Gjilanit, pak orë pasi lindi beben e saj.

Artikulli paraprakFlamuri amerikan në gjysëm shtizë në kujtim të viktimave në Bruksel
Artikulli vijuesBelgjika në zi; paralajmërohen sulme të tjera