Arrestohet për mashtrim Rezart Taçi

Ish-manjati naftës në Shqipëri Rezart Taçi është arrestuar në Zvicër. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga shkresat, që avokati mbrojtës ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, në procesin penal ndaj Taçit për akuzën e “mospagimit të taksave dhe tatimeve”.

Burimet thonë se avokati, ka dorëzuar në Gjykatë aktin e përfaqësimit, që Rezart Taçi i ka dhënë noterit nga ambientet e një paraburgimi në Gjenevë të Zvicrës.

Nga ky akt-përfaqësimi, ish-manjati i naftës kërkon të përfaqësohet dhe mbrohet në Shqipëri nga avokati Fatmir Brraka. Nuk jepen shumë detaje për shkakun e arrestimit apo kohën e prangosjes.

Por burimet nga Interpol Tirana i thanë ABC NEWS se ndalimi i Taçit është bërë me urdhër të Prokurorisë Publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”. Ky hetim, ka nisur thonë burimet pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin Panamez me emrin “Wallis Trading INC” dhe ajo Holandeze me emrin “Trafigura Beheer Bv”. Të cilët me kompaninëe Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009.

Për llogari të këtij hetimi, burimet thonë, se më 5 maj 2014 në Shqipëri, autoritet e zviceriane kanë kërkuar ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme, për kryerjen e disa veprimeve hetimore. Mes tyre sekuestrimin e kontratave të kompanisë së Rezart Taçit, verifikimin e llogarive bankare të kompanive dhe personalet, disa veprime të tjera bankare dhe pyetjen me cilësinë e dëshmitarëve të 4 personave, mes tyre motrën e Rezarta Taçit dhe nipin e tij.

Të gjitha këto veprimet hetimore, thonë burimet kanë përfunduar në Shqipëri dhe i janë dërguar autoriteteve të drejtësisë zviceriane, të cilët kanë arrestuar Taçin në një nga aeroportet e vendit.

Nga ana tjetër, në procesin gjyqësor në Tiranë, që treshja gjykuese e zhvilloi pa praninë e mediave, avokati i Rezart Taçit kërkoi që klienti i tij të gjykohet, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, por duke mos pranuar akuzën e “mospagimit të taksave dhe detyrimeve tatimore”. Kërkesë kjo që u pranua nga Gjykata, duke i dhënë fjalën prokurorit të lexojë kërkesën për gjykim. Më pas, seanca u shty për t’i lënë kohë prokurorit të çështjes të përgatisë konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit Rezart Taçi, i cili nga mospagimi i taksave dhe detyrimeve tatimore me cilësinë e administratorit të ARMO-s për 4 vite, që dyshohet se i ka sjell shtetit shqiptar një dëm prej rreth 6 milionë euro.

Artikulli paraprakKrijimi i Allahut në Univers: ja si duket toka jonë
Artikulli vijuesLimaj mohon kontaktet me Bllacën: Hashim e Kadri, u bë boll më