Asistenti i Adem Grabovcit emërohet në bordin e rregullatorit të hekurudhave

0
146

Shkumbin Hyseni i ka qëndruar afër Adem Grabovcit në gëzim e hidhërim. Ishte ideator për ta befasuar shefin për ditëlindje, por ishte afër tij edhe kur Grabovci u nis drejt prokurorisë për tu marrë në pyetje.

Ai është asistent i Grabovcit dhe para disa ditësh, më 28 tetor, është emëruar në postin e drejtorit të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Asistenti i Adem Grabovcit Emërohet në Bordin e Rregullatorit të Hekurudhave

Shkumbin Hyseni i rrinte afër Adem Grabovcit në një ditë tejet të rëndësishme për të. Më 14 shtator të këtij viti, shefi i tij ishte nisur drejt Prokurorisë së Shtetit. Do të merrej në pyetje për të bëmat e tij të publikuara në “Dosjen e Shefave” nga Insajderi.

Hyseni del i pari nga vetura e tipit Mercedes. Më pas e ndihmon shefin e tij ta hap derën e veturës.

Përgjatë kohës sa Hyseni fizikisht përpiqej për të ia lehtësuar shefit të tij rrugëtimin drejt prokurorisë, një e mirë po përgatitej për të. Ishte në pritje të një posti të rëndësishëm, raporton Insajderi.

Qeveria e kishte nominuar për anëtar të bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurdhave, një agjenci e pavarur që mbikëqyrë ndërmarrjet publike “Trainkos”, dhe “Infrakos”. Kuvendi i Kosovës më 28 tetor të këtij viti miratoi nomiminin e Qeverisë së Kosovës për ta emëruar në këtë post Shkumbin Hysenin.

Pikërisht për emërime nëpër borde është duke u hetuar Adem Grabovci. Deputeti i PDK-së dyshohet se ka dy vepra penale: shpërdorim i detyrës zyrtare dhe cenim i të drejtave kushtetuese të qytetarëve të Kosovës.

Dyshohet se kryerja e këtyre veprave i ka ndihmuar për t’i emëruar nëpër borde të ndërmarrjeve publike militantët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe njerëz të rrethit të tij.

Por, Hyseni, tash anëtar bordi në ARH, përveç ditës kur Grabovci është marrë në pyetje, ishte afër atij edhe në një ditë tjetër të rëndësishme, shkruan Insajderi.

Ajo ishte ditë feste për Grabovcin. Ishte 9 prilli i vitit 2013. Grabovci kishte ditëlindjen. I ishte bërë një befasi nga miqtë e tij. Hyseni ishte një prej ideatorëve për ta befasuar shefin për ditëlindje.

“Një falënderim të veçantë e shpreh për miqtë e mi: Drilon Mulliqi, Desara Peci e Albulena Shala, të cilët më befasuan me idenë dhe organizimin e ditëlindjes sime”, kishte shënuar Grabovci.

Asistenti i Grabovcit ishte anëtar bordi në ndërmarrjen publike “Trainkos”

Shkumbin Hyseni nuk i është përgjigjur Insajderit në pyetjet se cilat kritere plotësoi dhe se a ka ndikuar afërsia me Grabovcin për t’u emëruar në këtë post publik.

Përgjigje nuk ka dhënë as Zyra e Kryeministrit në pyetjet se cilat kritere ishin përcaktuese që Hyseni të propozohej për këtë pozitë.

Komisioni parlamentar për zhvillim ekonomik është organi që vendos për procedimin për votim në parlament ose refuzim të emrave të propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Anëtarët e këtij komisioni shqyrtojnë përgatitjet e kandidatëve. Insajderi ka siguruar CV-në e kandidatit Shkumbin Hyseni, e cila i është dorëzuar këtij komisioni.

Pjesa ku duhet të shënohet shkollimi është e zbrazët. Tek përvoja e punës, Hyseni ka shënuar se ka qenë anëtar bordi në Hekurudhat e Kosovës dhe në Trainkos. Në këtë pozitë ka qenë nga viti 2010 e deri më 2015.

Po ashtu, ka shënuar se ka punuar si menaxher i sektorit të projektimit urban dhe ndërtimor në një kompani private me bazë në Pejë.

Nuk ka shënuar askund se i ka shërbyer Grabovcit. Emri i tij si asistent i Grabovcit përmendet në një intervistë që shefi i tij ka dhënë për projektin “Oral History”, i cili realizohet nga Iniciativa e Historisë Gojore.