Personi i armatosur që vrau 9 persona në Mynih të Gjermanisë ishte i fiksuar pas masakrave me armë zjarri dhe nuk njihej për lidhje me ISIS.
Është kjo deklarata që ka bërë policia gjermane një ditë pas ngjarjes tragjike në qendrën tregtare të qytetit.
Agjentët që bastisën shtëpinë e autorit, një shtetas gjerman me origjinë iraniane, gjetën gazeta me artikuj mbi sulmet e armatosura, përfshirë një të titulluar “Përse studentët vrasin?”.
Sipas burimeve policore gjermane, vrasësi, i cili kishte lindur në Mynih, gjatë sulmit ishte i armatosur me një pistoletë tip “Glock”.
Nga hetimet ka rezultuar se më parë ai kishte qenë nën kujdes psikiatrik dhe i ishte nënshtruar trajtimit për shkak të depresionit.
Ndërkohë, hetuesit flasin edhe për një lidhje të sulmit të tij me atë të 5 viteve më parë të Anders Behring Breivik në Norvegji, ku humbën jetën 77 persona. “Lidhja është e qartë”, kanë thënë burime policore për BBC.