Irani një aleat i pazëvendësueshëm për Assadin në Siri

Republika Islamike është kthyer në një aleat të pazëvendësueshëm për Assadin, qëkurse regjimi i Partisë Baath gjendet ushtarakisht sa vjen e më shumë me shpatulla pas murit. Kleri fetar shiit i Iranit ka zgjeruar ndikimin në Damask.
Presidenti sirian u paraqit në mënyrë demonstrative në televizionin shtetëror përkrah një anëtari të këshillit të sigurisë së Iranit: Damasku i ka mjetet për t’u kundërpërgjigjiur, thotë Bashar al Assad. Dhe zëvendësministri i jashtëm i Iranit, Hussein Amir Abdullahian, parashikon se sulmi i Izraelit ndaj Sirisë do të ketë, “pasoja të konsiderueshme“ për qytetin e Tel-Avivit.
Mirëpo, se kush do të kundërpërgjigjet, këtë e bën të qartë ky skenar: Bashar al Assad nuk e ka më fuqinë për ta bërë këtë vërtet vetë. Për më tepër duket se udhëheqja në Teheran ka marrë përsipër regjinë në Damask, ndonëse diktatori sirian nuk lodhet së përsërituri që ai nuk lejon asnjë përzierje në punët e brendshme të vendit të tij.

Aktor në luftën civile siriane
Mirëpo Irani përzihet në mënyrë masive dhe kjo jo vetëm qëkurse Izraeli bombardoi së fundi një cak ende të paqartë në Siri. Siria pretendon se u qëllua një laborator kërkimesh ushtarake, SHBA-ja flet për një karvan automjetesh me armë. Megjithatë një gjë është e padiskutueshme: ndër të vrarët ka edhe iranianë.

Nuk është sekret që Republika Islamike e ndihmoi regjimin sirian që prej fillimit, kur nisi kryengritja dy vjet më parë. Me rrjedhën e ngjarjeve kjo ndihmë ka marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha. Nëse në fillim bëhej fjalë ende për livrime të fshehta teknologjie dhe armësh, për vënie në dispozicion të instruktorëve ushtarakë, të këshilltarëve politikë dhe të informacioneve të shërbimeve të fshehta, ndërkohë Teherani është kthyer hapur në palë në luftën civile.

Edhe forca të armatosura iraniane në veprim
Por edhe njësi speciale të „Gardës Republikane Iraniane“ (IRG) luftojnë së bashku me ushtrinë siriane kundër kryengritësve. Dhe më shumë akoma: Siç raportojnë qarqe të mirëinformuara në Bagdad, tani kryejnë shërbim në Siri edhe ushtarë normalë të këmbësorisë iraniane dhe zëvendësojnë ushtarët jobesnikë të ushtrisë siriane.
Ata tërhiqen nga rajoni iranian Azerbajxhan dhe nga pjesa kurde në kufirin me Irakun dhe dërgohen në Siri. Atje atyre nuk u duhet të futen në luftime, por të ruajnë depo armësh dhe të shërbejnë për mirëmbajtjen e bazave ushtarake.

Lirimi i të burgosurve iranianë
Prova më e mirë për praninë e personelit iranian në Siri ishin 48 burrat, të cilat u rrëmbyen në shtator prej grupeve rebele dhe u liruan duke u shkëmbyer në fillim të janarit me 2.000 opozitarë të burgosur në burgjet siriane. Qeveria siriane i cilësoi pengjet iraniane si pelegrinë myslimanë. Pengmarrësit pretendonin se këta ishin anëtarë të Gardës Republikane të Teheranit. Ndërkohë një komandant i IRG-së pranoi hapur në një intervistë me një gazetë arabe, se Teherani „përgatit shërbimin e sigurisë dhe atë të fshehtë sirian.“ Sipas tij, Irani merr pjesë në „luftën në Siri“ si në aspketin ushtarak ashtu edhe në atë kulturor.
Qeveritarët në Teheran e kuptojnë aleancën me regjimin alavit në Siri dhe me Hizbollahun gjithashtu shiit në Liban si një „bosht të qëndresës“ kundër Perëndimit.

Artikulli paraprakOKB: Jemi të pafuqishëm për dërgimin e ndihmave për mijëra refugjatë sirianë
Artikulli vijuesShkolla Fillore Islame e ranguar si me e mira ne Otava – Kanada