Athina zhytet në kaos, 200 mijë vetë protestojnë kundër qeverisë

Dhuna shpërtheu në Athinë gjatë ditës së sotme pas protestave masive kundër planeve të qeverisë për të shkurtuar shpenzimet buxhetore. Policia iu përgjigj me gaz lotsjellës turmave që goditën me gurë dhe bomba molotov. Përplasja filloi kur një grup i vogël protestuesish u shkëputën nga turma me 200 mijë vetë që po demonstronte në mënyrë paqësore duke marrë pjesë në një grevë masive të organizuar nga sindikatat. Greqia është tërësisht e bllokuar sot, pasi transporti publik nuk funksionon dhe shumica e shërbimeve publike nuk ofrohen.

Qeveria greke është nën presion të madh nga ndërkombëtarët për të shkurtuar më tej shpenzimet e veta në këmbim të një sasie parash që do t’i shkojë kreditorëve privatë të Greqisë dhe që do ta mbajë vendin teknikisht jashtë falimentit. Sondazhe të ndryshme tregojnë se 90 për qind e grekëve besojnë se shkurtimet e shpenzimeve po bëhen në mënyrë të padrejtë.

Protesta të dhunshme ndodhën sot edhe në Spanjë, ku sheshet u mbushën me protestues të panumërt, gjë që besohet se po e detyron qeverinë e Madritit të pranojë ndihmën me kushte të ofruar nga Bashkimi Europian, të cilën e kishte refuzuar më herët për arsye të krenarisë kombëtare./gsh

Artikulli paraprakSiri, 2 shpërthime në selinë e presidentit Assad
Artikulli vijuesHoxhaj kërkoi njohje nga Singapori