Atyre, që “ju bahet ferra Brahim”..!
Përherë kam menduar se disa prej këtyre, që shiten për intelektualë, gazetarë, botues, analistë e të ngjashëm, (normalisht, jo të gjithë), janë njerëz seriozë, njerëz që janë lodhur për t’u larguar nga provinca drejt metropolit për t’u bërë dikush në këtë jetë kalimtare… Nuk ka asgja të keqe me të dhanë dikush dorën, me të largu nga provincat e harruara, me të sjellë në metropol, me të nxjerrë jashtë, me të kriju mundësi pasurimi të diapazoneve intelektuale, me pa botë me sy e me u kthy “me mend në kry” në vend tand!
Kam ndjekur me vëmendje dhe kënaqësi shumë debate e bashkëbisedime, edhe prej atyre, ku modeleve të shkrimit tim “u lun tepeleku i kresë” nga përgjigjet karizmatike të të ftuarve, që s’i mbajnë perizë pafytyrësisë së misionarëve…
E dëgjova njërin prej tyre edhe në një sekuencë të shkëputur nga një emision, ku gazetari parafytyron bashkëbisedimin e “Atij, me A të madhe”, (siç e thotë vetë) dhe futbollistit Mërgim Mavraj, “në ditën e llogarisë”…
Është qesharake dhe pa asnjë lidhje, as intelektuale, as humane, as besimore, asgjë prej gjëje! Me fjalë të tjera: “Lakuriq me dur n’xhepa!”, o zotni!
Kam përshtypjen, se gazetarë e analistë të tillë kanë hapësira të shumta, ku mund të shprehim mendimet dhe idetë e tyre, duke mos hyrë medoemos në fusha, ku s’u takon, ku gabojnë, duke “ba humor pa kryp”, e duke personifiku fjalën e urtë: “Mjalta asht e amël, po gishti nuk hahet!”
Nuk jua fsheh dot, se përherë kam menduar dhe vazhdoj të mendoj, se disa prej tyre, në thelb janë besimtarë, muslimanë, edhe pse mundohen të dëshmojnë të kundërtën, si frikacakë në mes të metropolit!
Teksa përpiqen të bëjnë humor francez, a të dëshmonjë një kulturë të dhunshme e ekstremisht xhahile, kur me naivitet, dëshmojnë se janë njësoj si ai, që “ia ka hangër dhia librat” në këtë fushë..!
Asht ba e modës sot, me folë e me e “njy gishtin” gjithkush, duke broçkollisur kundër Islamit e muslimanëve, duke na treguar përralla me “Islam simbolik”, e duke u qa për fëmijët që tërhiqen me zori drejt xhamisë, (si shkrimi i asaj botueses, dje a pardje), a si misionarët islamofobë e osmanofobë, sidomos në Kosovë, që “na çajnë dërrasat”, ditë për ditë! Po ikni ore, gjeni një vend tjetër, nuk e ç’bëni dot besëlidhjen shekullore të shpirtit shqiptar!
“I dúl boja ksaj pune”, o njerëz! Ju jeni modele të shpërfytyruara nga mbetjet e periudhave më të errëta të historisë sonë kombëtare, kur hoxhallarëve u digjeshin bibliotekat, kur xhamive u mbylleshin dyert, kur shqiptarët provonin mbi kurriz kolerën andaluziane të tjetërsimit me dhunë!
Ju jeni vazhdimësi e mentaliteteve të mykura ateiste, ku imponimi dhe mendja e mbyllur, janë etiketë e ndryshkur, që nuk merr shkëlqim, sado ta parfumosësh, sado ta veshësh me veshje të shtrenjta, sado të derdhni lot krokodili për shoqërinë shqiptare nga “islamizimi” i saj!
Ju jeni kartë e djegur, në një realitet, që nuk e kapërdini dot. “Bani gajret”, e mos lejoni t’ju “bahet ferra Brahim!”, se ju lëndon shëndetin mendor!
Dhe, kur e mendoj, mu me vjen gjynah për ta, vallahi!
Imam Muhamed B. Sytari
Shkodër, më 14 korrik 2016