Në shtetet federale, Australia Jugore dhe Viktoria, me ardhjen e ditëve të nxehta verore, shumë zona janë përfshirë nga zjarri, duke dëmtuar mijëra hektarë tokë, ndërsa janë djegur edhe disa shtëpi private, raporton Anadolu Agency (AA).
Shërbimet zjarrfikëse bëjnë përpjekje mbinjerëzore për të vënë nën kontroll zjarret që kërcënojnë mijëra banorë. Zjarri më i fuqishëm është ndezur në Sampson të Australisë së Jugut. Zëdhënësi i Zyrës së Emergjencave (CFS) Rob Sandford tha se disa shtëpi në atë zonën janë djegur.
Në vendin Ararat të shtetit Viktoria, që ndodhet afër kufirit me Australinë e Jugut, zjarri ka përfshirë një sipërfaqe prej mbi pesë mijë hektarë. Njësitë zjarrfikëse në Viktoria thanë se zjarri kishte përfshirë vendin Moyston, të cilin përpiqen për ta shuar nga ajri dhe nga toka. Thuhet se era e fuqishme në disa vende e vështirëson shuarjen e zjarrit.
Sipas informatave të fundit, në Viktoria shpërthyen më shumë se 300 zjarre, ndërsa për fikjen e tyre janë angazhuar 63 aeroplanë Canadair. Kryeministri i Australisë së Jugut Jay Weatherill deklaroi se zjarret në ato vende janë “jashtëzakonisht të rrezikshme”.