Bajrami: Është i vogël numri i inspektorëve të arsimit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka takuar sot inspektorët e arsimit, me të cilët ka biseduar për programin qeveritar për arsim, për rolin dhe punën e inspektorëve në drejtim të rritjes së cilësisë dhe planet për të forcuar këtë shërbim.
 
Ministri Bajrami theksoi se roli i inspektorëve në ngritjen e cilësisë në arsim është jashtëzakonisht i madh, prandaj premtoi se do t’i përkrahë fuqishëm ata në punën e tyre.
 
Para inspektorëve të arsimit, ministri Bajrami prezantoi planet e Qeverisë, respektivisht Ministrisë dhe i njoftoi ata më detajisht me programin qeveritar për të gjitha nivelet e arsimit, i cili pritet të miratohet shumë shpejt.
 
Ministri foli edhe për rolin e inspeksionit për reformat në arsim, sidomos në sigurimin e cilësisë dhe mbrojtjen e standardeve kombëtare në sferën e arsimit, ndërsa u ndal edhe te riorganizimi i inspektoratit, pasi që theksoi se jemi në prag të përfundimit të punës me Ligjin për Inspekcionin e Arsimit, ku Inspektorati do të ketë një pavarësi dhe do të shndërrohet në Agjenci shumë të fuqishme.
 
Ministri Bajrami theksoi se është i vogël numri i inspektorëve të arsimit (56 gjithsej), prandaj tha se do të rrisë numrin e tyre.
 
Sa i përket monitorimit të cilësisë në arsim, ministri Bajrami tha se do të ndërtohen tri shtylla: “Shtylla kryesore është inspektorati – do të jetë agjenci shtetërore e pavarur. Shtylla e dytë është Agjencia e Akreditimit e Kosovës dhe shtylla e tretë Agjencia për Teste. Këto tri shtylla nëse e kryejnë detyrën e vet, e vendosim cilësinë në monitorim, detyrojmë shkollat dhe universitetet që ta rrisin cilësinë, sepse ato do të jenë të mbikëqyrura”.
 
Për të realizuar reformat në arsim, ministri Bajrami tha se tashmë janë siguruar donacione shumë të mëdha ndërkombëtare dhe përmendi finalizimin e projektit të Bankës Botërore në vlerë prej 11 milion dollarë.kohaislame
Artikulli paraprakKompanitë “Prishtina” e “Pastrimi” ua falin borxhlinjve mbi 40 milionë euro
Artikulli vijuesGjermania i jep 1 milion euro për kthimin e emigrantëve ilegal