Ballkonet hapësirë ideale për të mbjellur perime

Për të kultivuar perime, nuk është e domosdoshme të keni tokë. Atë mund të bwni edhe në ballkonin e shtëpisë ose banesës.

Bimët kërkojnë energji diellore për zhvillimin e tyre prandaj vendet më të përshtatshme për rritjen e perimeve në një apartament janë ballkoni dhe dritaret. Zakonisht perimet që kultivohen për gjethet e tyre kanë nevojë për më pak dritë si psh. sallata jeshile, spinaqi, rukola, qepa, majdanozi, borziloku etj. Kurse perimet që kultivohen për frutat e tyre si psh. domatja, speci, patëllxhani etj. kërkojnë më shumë dritë.

Gjethurinat e freskëta gjenden më me vështirësi në qytete, mundësia e zgjedhjes është e kufizuar, prandaj këto mund të jenë të preferuara për tu mbjellë në apartamente. Gjithashtu jeshillëqet janë nga ushqimet më të pasura me minerale dhe vitamina.

Perimet e freskëta janë të pasura me vitaminë C, që mungon rregullisht nga dieta e qytetarëve. Perimet mund ti kultivojmë dhe për të mësuar më shumë mbi to. Kështu nëse në të ardhmen, për shkak të krizës detyrohemi të largohemi nga qyteti kemi një farë ideje nga punët në bujqësi.

Sigurimi i farave ose fidanëve

Për të nisur kopshtin tonë të vogël shtëpiak duhet të sigurojmë fara (në Tiranë fara perimesh shiten në tregun pranë stacionit të trenit, si dhe përballë Ministrisë së Drejtësisë), ose fidanë. Farat mirë është të mos jenë më të vjetra se 1 vjeçare sepse me kalimin e kohës humbasin aftësitë mbirëse.

Sigurimi i plehut

Plehun organik për mbushjen e vazove mund ta sigurojmë në dyqane lulesh, në fshat ose mund ta përgatisim nga mbeturinat e kuzhinës duke e kompostuar. Kompostimi i plehut organik në shtëpi ul edhe më shumë koston e kultivimit të perimeve.

Shfrytëzimi maksimal i hapësirës

Disa perimeve si bizelja, kungulli, sallatori etj. u pëlqen të kacavirren, prandaj mund të shfrytëzojmë më mirë hapësirën e vogël të ballkonit nëse i ndihmojmë të ngrihen në lartësi duke u vënë rrjetë, ose spango. Gjithashtu në ballkon mund të vëmë disa rafte për vazot me perime ose të mbjellim dhe në vazo të varura.

Mbjellja e farave

Fara nuk duhet mbjellë më thellë se 3 herë madhësia e saj. Nëse mbillet shumë thellë fara mund të mbijë dhe të vdesë përpara se të dalë bima në sipërfaqe. Nëse mbillet shumë cekët era mund ti shpërndajë përpara se të mbijnë. Mirë është të mbjellim disa fara për çdo bimë që dëshirojmë të kemi, sepse jo çdo farë që mbillet do të jetë e suksesshme.

Kur mbillen perimet

Përcaktuese për kohën e mbjelljes së perimeve në pranverë është se mbjellja bëhet pasi rreziku për ngrica të ketë kaluar. Disa perime si psh. lakra e bardhë, sallata jeshile, brokoli e përballojnë ngricën lehtë dhe zhvillohen më mirë nëse mbillen disa javë përpara ngricës së fundit. Bizelja, qepa dhe spinaqi e durojnë akoma më shumë ngricën. Kurse perimet si domatja, speci dhe patëllxhanat janë shumë të ndjeshme ndaj ngricës.

Kurse për mbjelljet në vjeshtë duhet patur parasysh koha kur temperaturat fillojnë të bien nën 0./BKS

Artikulli paraprakRole me gështenja
Artikulli vijuesTetë hapa për mbjelljen e suksesshme të luleve