Në një kohë kur duket se Lulzim Basha ende nuk e ka vendosur nëse do të rikandidojë për Bashkinë e Tiranës, lideri historik i së djathtës, Sali Berisha shprehet se dëshiron ta shohë atë kryeministër të ardhshëm të vendit dhe jo kryetar të Bashkisë.
Për ish–kryeministrin, detyra e kryebashkiakut të Tiranës mbetet e rëndësishme, por ai thotë se nevojat e kërkojnë që Basha të jetë në krye të ekzekutivit. Megjithatë, Berisha thotë se kjo çështje u takon strukturave drejtuese të partisë. Në këtë kontekst, kur pyetet për kandidatët që do të ketë Partia Demokratike në këto zgjedhje, ai thotë se edhe çështjet organiziative i takojnë kryetarit Basha, raporton “Klan”.
Zoti Berisha vlerëson se jetike, jo vetëm për këto zgjedhje, por për demokracinë dhe vendin është dekriminalizimi. Proces që sipas tij nuk do të jetë i plotë pa një revolucion demokratik të qytetarëve, që ai thotë se pritet këtë pranverë.
Për ish – kryeministrin edhe përse dekriminalizimi është kërkuar nga opozita, përgjegjësia kryesore për procesin, i mbetet mazhorancës. /albeu/.kohaislame