BE, gjobë vendeve të bllokut që nuk pranojnë emigrantë

Mesa duket Bashkimi Europian nuk do të lejojë më vendet e bllokut që të pranojnë me vullnet të lirë kuotat e refugjatëve. Komisioni Europian ka propozuar reforma që gjobisin drejtpërsëdrejti shtetet që refuzojnë të pranojnë azilantë, njofton TCH.

Gjoba mendohet se do të arrijë vlerën deri në 250 mijë euro për një refugjat të refuzuar. Organet ekzekutive të Brukselit kërkojnë që të marrin masa ndaj fenomenit të refuzimit, që sipas tyre ka krijuar një bllokim të madh në radhet e refugjatëve.

Por planet e reja kërkojnë miratimin e shteteve të bllokut si edhe atë të eurodeputetëve. Zyrtarët e BE thonë se marrëveshja me Turqinë është ajo që ka reduktuar fluksin e refugjatëve, ndaj sipas tyre kjo do të sjellë edhe një reduktim të dukshëm të tensionit brenda bllokut mbi këtë çështje.

Thelbi i rregullores së Dublinit do të mbetet i njëjtë: refugjatët do të kërkojnë azil në shtetin e parë ku ata mbërrijnë. Por para se të gjobisë, Komisioni Europian ka vendosur të rishikojë skemën e kuotave të shteteve në bazë të popullsisë.

Propozimet e reja kanë ngritur alarmin në vendet e Europës lindore, që kanë refuzuar të pranojnë refugjatët. Republika Çeke, Hungaria, Sllovakia dhe Polonia i kanë kundërshtuar ato. Polonisë i është caktuar të marrë 7 mijë azilantë dhe nëse nuk e zbaton këtë, atëherë gjoba ndaj shtetit mund të kapë vlerën e 1.75 miliard eurove.

Artikulli paraprakSHBA dhe Rusia dakordohen për Halepin
Artikulli vijuesTrump garon me veten, tërhiqet edhe John Kasich