BE-ja nuk i tërheq sanksionet ndaj Rusisë

Bashkimi Europian nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i tij kritik ndaj Rusisë në lidhje me Ukrainën, duke nënkuptuar se sanksionet e ashpra ekonomike dhe financiare do të vazhdojnë deri në stabilizimin e situatës në lindje të Ukrainës.

Shefja për Politikën e Jashtme dhe Çështjet e Sigurisë, Federika Mogerini tha se prioritet do të jetë monitorimi dhe sigurimi i armëpushimit të brishtë të arritur në Minsk mes dy shteteve.
Deklarata e saj u bë gjatë samitit të ministrave të Jashtëm të BE-së. Ajo tha se nuk kishte asnjë arsye tani që të lehtësoheshin sanksionet, pavarësisht se në terren ka përmirësime.
 
“Jemi në rrugën e duhur me gjithë përpjekjet që po bëjmë në terren, në Kiev me delegacionin tonë, me mbështetjen që po i japim zbatimit të marrëveshjes. Të gjithë ukrainasit e dinë mjaft mirë gjendjen humanitare në lindje të vendit dhe kemi shumë punë për të bërë, por kryesorja tani është të sigurojmë armëpushimin”, tha Mogerini.
 
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Valter Shtajnmajer, tha se vendi i tij po shqyrton mënyrën se si do të ndihmojë OSBE-në për të monitoruar në terren zbatimin e armëpushimit, ndërsa ministri i Jashtëm britanik, Filip Hamond, tha se ndaj Rusisë mund të aprovoheshin sanksione të reja nëse konfirmohen shkeljet e marrëveshjes.
 
Britania dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, ndërsa Bashkimi Europian duket më i tërhequr në këtë drejtim dhe kërkon t’i japë një shans zbatimit të armëpushimit.kohaislame
Artikulli paraprakErdogan: I madh është ai, që u del për zot nevojtarëve
Artikulli vijuesI gjith qyteti e mëson gjuhën e shurdhmemecëve për MUHAREMIN (Emocionale) – VIDEO