BE, kritika Maqedonisë për ekonominë

0
162

Kriza e brendshme politike, korrupsioni, presionet ndaj biznesit si dhe problemet me sundimin e së drejtës janë disa nga sfidat e shumta me të cilat përballet ekonomia e Maqedonisë.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Aivo Orav deklaroi këtë të mërkurë se klima e biznesit në Maqedoni mund të përmirësohet vetëm përmes zbatimit të reformave dhe bashkëpunimit midis qeverisë dhe afaristëve.

“Korrupsioni dhe praktikat jo konkurrente janë pengesë e madhe për biznesin. Praktikat korruptive prishin konkurrencën juridike dhe ndikojnë negativisht tek bizneset. Një element tjetër i rëndësishëm janë reformat strukturore. Unë ftoj udhëheqësit politikë që të zbatojnë si duhet reformat, për të krijuar një ambient të përshtatshëm për biznes”, deklaroi Orav.

Duke folur rreth raportit për konkurrencën globale që këtë vit Maqedoninë e rendit tre vende më lartë, ambasadori Orav tha se Bashkimi Evropian i ka vënë në dispozicion Maqedonisë 73 milionë euro deri në vitin 2020, për mbështetjen e konkurrencës. Megjithatë, afaristët thonë se tregu në shumë sfera ende mbahet i monopolizuar.

“E shohim të arsyeshme që monopoli në sistemin e energjetikës dhe bizneseve tjera më të mëdha të jetë i lirë dhe të mos ketë monopol në këto veprimtari”, deklaroi Nebi Hoxha nga Dhoma Tregtare për Maqedoninë Veri-Perëndimore.

Në raportin e konkurrueshmërisë globale të publikuar nga Forumi ekonomik Botëror, Maqedonia është renditur në pozitën e 60.

Nga ana tjetër, zëvendës kryeministri për Çështjet Ekonomike, Vladimir Peshevski u shpreh i kënaqur nga ky klasifikim dhe tha se rritja e konkurrueshmërisë do të ndikojë në rritjen e pagave, eksportit, si dhe do të përmirësojë të gjitha parametrat makro-ekonomikë.