BE nuk ka plan për veriun

Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë plan të vetin sa u përket raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe nuk ka as ndonjë plan të vetin, që do ta do ta impononte sa i përket çështjes së veriut të Kosovës.

E tërë atë që po bën Bashkimi Evropian është tentimi për t’iu ndihmuar të dy palëve që t’i zgjedhin problemet e ndërsjella. Kështu ka deklaruar të martën përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Kosovën, Samuel Zbogar.

Në debatin e organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, me temën “Qasja e Qeverisë në Veri Kosovës dhe skenarët e mundshëm në procesin e negociatave për veriun e Kosovës”, Samuel Zbogar ka thënë se edhe pse situata atje për momentin është e qetë dhe stabile, megjithatë një situatë e tillë për BE-në është e paqëndrueshme dhe e patolerueshme dhe se kjo ka qenë arsyeja kryesore pse përfaqësuesja e Bashkimit Evropianë Catherine Ashton, ka ftuar për bisedime kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic.

Edhe pse Zhbogar deklaron se BE-ja nuk ka ndonjë plan për veriun, ai thotë se arsyeja e bisedimeve është normalizimi i gjendjes atje, pasi që, sipas tij, veriu është pengesa kryesore e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian dhe ka shprehur bindjen se ky dialog nuk do të zgjatë me vite.

“Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë plan të vetin sa u përket raporteve në mes të Serbisë dhe Kosovës dhe nuk ka as ndonjë plan të vetin që do ta imponojë sa i përket veriut të Kosovës. Pra të jemi të qartë që në fillim. Atë që e bënë BE-ja është që tenton t’iu ndihmojë të dy palëve që kanë probleme. Ne e shohim se ka problem në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se janë probleme që i rëndojnë jo vetëm raportet në mes Kosovës dhe Serbisë, por këto probleme e rëndojnë edhe rrugën e njërit dhe shtetit tjetër drejt BE-së”, ka thënë ai, transmeton Kosovapress.

Bashkimi Evropian përkrahë dialogun Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash, mirëpo Zbogar ka qartësuar se për veriun e Mitrovicës nevojiten tri lloje të dialogut. Ai po ashtu ka mohuar çfarëdo lloj zgjidhje tjetër përpos dialogut, duke mohuar ndarjen, por edhe Planin Plus të Ahtisarit.

“Ne mendojmë që duhet të zhvillohen tri lloje të dialogut. Pra dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës që tashmë ka filluar me ndihmën e BE-së dhe të ShBA-ve. Duhet të zhvillohet dialogu i Kosovës me veriun, sepse ka probleme të veçanta dhe kjo është ajo që kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që ta shtrijë dorën që t’i bëjë gjërat në raport me veriun për ta zvogëluar tendosjen mes njerëzve. Dhe dialogu i tretë duhet të zhvillohet mes serbëve në veri dhe jug”, ka thënë ai.

Me këtë deklaratë të përfaqësuesit të BE-së, Samuel Zhbogar, nuk është pajtuar panelisti në këtë debat, kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, i cili mendon se për zgjedhjen e problemit të veriut duhet të zhvillohet një dialog mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe banorëve të asaj pjese, e kurrsesi mes Prishtinës dhe Beogradit.

Bajrami shton se problemi kryesor për veriun mbeten strukturat paralele dhe krimi i organizuar dhe se për ta zgjidhur këtë çështje duhet shpërbërja e këtyre strukturave dhe shtrirja e autoritetit të institucioneve të Kosovës.

Slobodan Petrovic, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe njëherësh Ministër i Pushtetit Lokal, ka thënë se edhe Qeveria e Kosovës është e interesuar që dialogu për veriun të vazhdojë dhe se çdo marrëveshje e arritur të implementohet. Ai gjithashtu ka kërkuar edhe decentralizimin e mëtejmë të komunave serbe.kohaislame

Artikulli paraprak(Video) Shikoni çfarë ndodh nëse tableti Surface ju bie nga dora
Artikulli vijuesKRYEMINISTRI FINLANDEZ I SHPËTON SULMIT