BE sqaron pse i dha fonde Universitetit të Mitrovicës

0
187

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë përmes një deklarate për media dëshiron të qartësojë disa pohime çorientuese që janë publikuar mbi universitetet dhe institucionet e arsimit të lartë në Kosovë e që mbështeten nga Programi Tempus.

“Programi Tempus është një program bashkëpunimi i dizajnuar që të zhvillojë dhe të mbështesë reformën dhe modernizimin e arsimit të lartë në vendet partnere, një prej të cilave është edhe Kosova. Projektet Tempus ofrojnë mundësi për të fuqizuar rrjetet e institucioneve të arsimit të lartë brenda BE-së dhe për të krijuar lidhje me një sërë vendesh fqinje, që është gjithnjë e më me rëndësi për nga perspektiva gjeopolitike, sociale, kulturore dhe ekonomike”, thuhet në reagimin që iu ka dërguar mediumeve kjo zyrë.

“Projektet nga vendet partnere përzgjidhen përmes thirrjes për aplikime. Propozimet për projekte të përbashkëta dhe masa strukturale pranohen dhe vlerësohen nga Agjencia Ekzekutive e Arsimit, Kulturës dhe Veprimtarisë Audio-vizuale e Bashkimit Evropian (EACEA), e cila është përgjegjëse për menaxhimin e programit TEMPUS”.

“Kriteret për institucionet aplikuese janë përcaktuar qartë në Udhëzimet e Thirrjeve përkatëse për aplikime. Përzgjedhja bëhet bazuar në parimet e një vlerësimi objektiv, transparent e koherent dhe notimit. Aplikacionet vlerësohen sipas kritereve në vijim: relevancës, cilësisë së partneritetit, cilësisë së përmbajtjes dhe metodologjisë së projektit, përhapjes dhe qëndrueshmërisë dhe buxhetit dhe efikasitetit të kostos. Vetëm propozimet që i marrin pikët më të larta përzgjidhen për tu financuar, pa marrë parasysh aspektin politik apo aspektet e tjera”.

“Kosova me sukses po përfiton nga fondet e Tempusit. Që nga viti 2002, Kosova ka përfituar 20 milionë euro për 52 projekte. Sa i përket programit aktual Tempus IV, që nga viti 2008 Universiteti i Prishtinës ka përfituar me 15 projekte, Universitetit të Mitrovicës i janë përzgjedhur 7 projekte dhe 8 projekte të tjera nga institute tjera hulumtuese si universitetet private dhe ai i Prizrenit”.

“Përderisa qëndrimi i BE-së mbi integritetin territorial të Kosovës ka qenë gjithnjë shumë i qartë, ne vazhdimisht i kemi inkurajuar autoritetet kosovare, por edhe shoqërinë në përgjithësi, që të bëjë përpjekje për integrimin e të gjitha pjesëve të Kosovës përmes dialogut, investimeve dhe qasjes pozitive. Përfshirja e Universitetit të Mitrovicës në projektet Tempus është një hap i rëndësishëm për Kosovën që ta bëjë këtë të mundshme. BE-ja konsideron se të gjithë qytetarët nga cilado pjesë e Kosovës kanë të drejta të barabarta për të përfituar nga financimi i BE-së për arsim në Kosovë”, thuhet në deklaratën sqaruese të Zyrës së BE-së në Prishtinë