Imami boshnjak Husein Hoxhiç po i ndihmon familjes së priftit të ndjerë serb tetorin e kaluar Dragan Cvijanoviç, në ndërtimin e shtëpisë të cilën e kishte ëndërruar para se të ndërronte jetë.
Husein Hoxhiç i cili më parë ushtronte detyrën e kryeimamit në qytetin Trebinje të Bosnjë e Hercegovinës (BeH), ndërkohë që tani është me detyrë në qytetin Herceg Novi të Malit të Zi, ka përvjelur mëngët që ta çojë në vend amanetin e priftit i cili para vdekjes kishte blerë tokë për të ndërtuar shtëpi, ëndërr për të cilën nuk i mjaftoi jeta që ta realizojë.
I biri i priftit serb Milivoj Cvijanoviç, në deklaratën për gazetarin e Anadolu Agency (AA), duke theksuar se shtëpia po ndërtohet me ndihmën e imamit boshnjak Hoxhiç, tha se ndjehet shumë i lumtur që ende ekzistojnë njerëz të këtillë edhe përkundër ndodhive në të kaluarën.
Duke rrëfyer se babai i tij e donte shumë qytetin Bileça në të cilin e ushtronte detyrën më parë dhe se përderisa ishte në jetë dëshironte të jetonte aty, Milivoj Cvijanoviç u shpreh se marrëdhëniet e mira mes babait të tij prift dhe imamit Hoxhiç janë tregues se Bosnjë e Hercegovina është një vend ku të gjithë mund të jetojnë së bashku.
Ai tha se lufta mes viteve 1992-1995 megjithatë nuk ka shkatërruar gjithçka, duke u shprehur më tej se “Me rëndësi është të jesh njeri. Nuk ka asgjë më me rëndësi se kjo. Miqësia mes babait tim dhe imamit duhet të jetë shembull për njerëzimin”.
Sipas tij, ndërtimi i shtëpisë, që është amanet i babait të tij, po vazhdon në mënyrë të shpejtë dhe potencoi se do të zhvendosen gjatë muajve të vjeshtës.