Po t’u pyes dikush çfarë dëshironi në jetë, ndoshta mund të thoni më tepër para, jetë më të mirë bashkëshortore apo shëndet më të mirë…
Kështu do të përgjigjeshin shumica e njerëzve. Por unë dëshiroj të shkoj pak më thellë se kaq, shkruan në portalin ‘dumblittleman’.
Është e vërtetë që gjithkush e dëshiron fatin, të gjithë dëshirojmë jetë të gjatë dhe me fat. Por, shumica prej nesh nuk e di si duhet të jetë lumturia.
Të gjithë ne kemi aspekte pozitive dhe negative në jetët tona. Fokusimi ynë luan rol të posaçëm në ndjenjën tonë të lumturisë. Njerëzit me mënyrën e gabuar të të menduarit bëhen pjesë e problemit. Ata gjithmonë e komplikojnë si për vete ashtu edhe për të tjerët. Ju bëj thirrje që të bëheni pjesë e zgjidhjes për veten dhe ata që janë pranë jush.
Pranoni përgjegjësinë
Ekzistojnë gjëra të cilat ndodhin dhe janë jashtë kontrollit tuaj. Megjithatë, shumica nga ju kanë ndikim të madh në përmirësimin e situatës.
Vetëm atëherë kur ne do ta pranojmë faktin se jeta jonë është e tillë siç është për shkak të zgjidhjes që e kemi bërë, do të jemi më të lirë dhe në të ardhmen të sjellim vendime më të mira. Kjo në shikim të parë mund të duket e rëndë dhe e pakuptimtë, por nëse e detyroni veten ta pranoni këtë fakt, do të jeni më të shkarkuar dhe më të lirë. Pranimi i përgjegjësisë mund të jetë çelës për marrëdhënie dhe rezultate më të mira në jetën tonë.
Jini falënderues
Falënderimi është pjesë e rëndësishme e zgjidhjes. Shumë njerëz fokusohen vetëm në gjërat të cilat dëshirojnë ti posedojnë. Por e vërteta është se në qoftë se ngecni në mendimin se gjithmonë dëshironi më tepër, asnjëherë nuk do të jeni të kënaqur me atë që posedoni.
Pa marrë parasysh të arriturat, në fund gjithmonë gjeni gjëra të tjera të cilat i dëshironi. Nuk ekziston asgjë e keqe në ëndërrime. Megjithatë, kjo çështje bëhet problem nëse fokusohemi vetëm në ëndërrime dhe harrojmë atë që posedojmë. Kur të mësojmë të jemi falënderues për atë që kemi, ne bëhemi më të lumtur. Kjo na ndihmon në gjetjen e paqes së brendshme.
Jini proaktiv
Në jetë duhet qenë proaktiv. Doemos duhet ditur çfarë dëshironi në jetë dhe t’i ndërmerrni hapat e caktuar në atë drejtim. Mos e pritni vetëm fatin që t’ua sjell atë që dëshironi. Në rast se nuk ecni drejtë qëllimit të caktuar, asnjëherë nuk do të mbërrini atje. Domethënë, jini të kujdesshëm dhe të gatshëm për çdo rast, ngase për çdo ditë ecni drejtë qëllimeve.
Hapat e vogël janë më të mirë se sa të mos ndërmerrni asgjë.
Shkruani tre gjërat më të rëndësishme që për ju janë më të vlefshme. Mandej shikoni çfarë keni bërë në arritjen e atyre qëllimeve? A keni mundur të bëni diç më tepër? Jini vetë-udhëzues dhe vetë-kritikues.
Burimi: dumblittleman.com
Përshtati: Lutfi Muaremi
(Islampress)