Retro Postim (shkrimi eshte i vjeter)
Bekimi i priftit e mallkimi i Nënës
Ne Një debat që ka filluar në disa forume të internetit e që merr shkas një shkrim të botuar te gazeta e përditshme Koha Ditore e datës 28. 07.2008, me titullin “Familja Kabashi i kthehet fesë katolike” me nënshkrim Agron Gashi, ka shkaktuar një habi në qytezën Gurrakoc të komunës së Istogut.
E para sepse në këtë vendbanim, ku shumica e banorëve përbëhet prej kabashëve, ç’prejse dihet dhe gjithmonë ka pasur dhe aktualisht ende ka shumë persona me emrin e bukur Bajram, që para së gjithash u vihet fëmijëve kur ata lindin në ditët e festës myslimane të bajramit, apo për të evokuar emra trimash e heronjsh shqiptarë siç ishin Bajram Daklani a Bajram Curri, apo ndonjë axhë, gjysh a dajë i famshëm me atë emër. Ky Bajrami që përmendet në shkrimin e cituar është, pra, një nga disa bajramat e shumtë kabashë e gurrakocas e tomocas. Le ta identifikojmë Bajramin e shkrimit të Kohës Ditore. Baba i tij, Hyseni dhe e ëma Fatimja, ia patën lënë këtë emër sepse ai kishte lindë, si fëmijë i tyre i pestë, ditën e parë të Bajramit të Madh të 1957-ës, në fshatin Tomoc. Le ta them menjëherë se pikërisht unë isha fëmija i parë i Hysen Ahmetit dhe i Fatime Osman Morinës, e cila ende rron dhe ka 85 vjet. Kjo le të jetë e qartë. Sepse askush nuk e ka hallin as i bëhet dert se ai më nuk dëshiruaka të jetë Bajram, natyrisht pos nënës sonë plakë, e cila nuk e gjen dot fillin se çfarë zori e shtyri birin e saj të ndërrojë fe… Ndoshta është mirë të sqarohet se Bajram Hysen Kabashi dhe reja e kunata jonë Ajshja, gruaja e tij, kanë edhe dy pasardhës, tashmë të rritur, Dardanin dhe Dardanën që i duam shumë jo vetëm pse ata nuk pasuan aktin shpërndërrues të prindërve të tyre. Që të mos lëmë asnjë mundësi konfuzioni, le ta themi se vajzën e vogël të tyre deri më sot të gjithë e kemi njohur dhe e njohim me emrin Puhizë, e jo, Driada, siç ka pohuar çuditërisht i ati i saj.
E dyta punë. Kushdo ka të drejtën e mendimit të lirë, të ndërgjegjës dhe të besimit. Fundja, kështu shkruan edhe në nenin 18 të Deklaratës së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e njeriut. Dhe jo vetëm kaq. Po ajo deklaratë përmban edhe lirinë e individit për ndërrimin e bindjeve dhe të fesë. Edhe për këtë shkak personalisht e as familjarisht nuk na bëhet vonë, as na pikëllon dhe as na impresionon pse Kisha e Zallkuqit (Zllakuqanit) është bërë streha shpirtërore e Bajramit tonë konvertit. Por, na vjen keq pse Bajrami para se të bëhej Gjergj, ka një kohë që edhe me shkrim, edhe me deklarime, me sjellje, (të cilat kulmuan në raportin e përmendur të Kohës Ditore), tregoi se veprimi apo akti i tij i shpërndërrimit po bëhej, më shumë se nga bindja, nga urrejtje e papërmbajtur,e pajustifikueshme dhe me asgjë relevante e argumentuar kundër fesë islame. Ndërkohë që besimit islam i kanë takuar së paku 10 breza nga filli gjenealogjik familjar. E njëjta gjë vlen edhe për nënën tonë, familja e së cilës ndër breza kanë qenë myslimanë të përkushtuar jofanatik. Me urrejtjen e tij të shprehur, ikjen e vet nga myslimanizmi në kristianizëm Bajram Kabashi e ka bërë në mënyrën më të pandershme të mundshme, skajmërisht të padinjitetshme dhe aspak burrërisht.
Me deklarimet e tij ai ka fyer rëndë ndjenjat fetare të shumicës së shqiptarëve, posepo edhe të familjes së tij pak më të gjerë. Por, besoj se as katolikët e shumtë shqiptarë, të ndershëm e të mençur siç dijnë të jenë ata, nuk mund të ndjehen mirë kur brenda komunitetit të tyre shohin t’u jetë futur një njeri me kaq obsesione, me aq paragjykime, me aq paranojë e me aq urrejtje, shkurt, një njeri që shkatërroi të gjitha urat mbi të cilat ka kaluar mbi 50 vjet të jetës së tij. Nuk besoj se dikush mund të ndjehet mirë kur ka pranë vetes atë që ka këputur fijet e marrëdhënieve të deritashme njerëzore, që ka shkelë me këmbë mbi një jetë të tërë të përbashkët familjare dhe që në fund ia ka bërë shkrum zemrën e nënës plakë, duke ikur për në Norvegji (ku jeton pandërprerë nga lufta e këndej).
Le të jetë si të jetë, inshallah Bajrami tash e tutje, bile si Gjergj, do të gjejë paqen shpirtërore dhe këndelljen e tij shëndetsore. E nëse do të ngre farë shtëpie (gjë që deri tani nuk e ka bërë), atëherë do të shohim nëse transferi i tij paska qenë dobiprurës…
E treta ka të bëjë me priftin. Nëse duhet t’i besojmë shkrimit e nënshkrimit të gazetarit Agron Gashi, ai prift u quaka Don Pren Kola. Dhe prifti i nderuar paska pas thënë:
“… kthimin në fenë e vjetër, familja Kabashi e ka bërë me dëshirën dhe vullnetin e vet dhe me përkrahjen edhe nga të afërmit e tyre.”(kursivi ynë)
Nëse këtë ia ka thënë Bajrami, të cilit prifti ynë ia paska bërë të mundshme të bëhet Gjergj, atëherë, unë me të gjithë pjellën e Hysenit e të Fatimes, minus Bajrami, deklaroj(më) me keqardhje se me rrenë e paska nisë fenë e re (a të të moçme, si të dojë). E nëse këtë prifti e ka nga mendja dhe goja e tij, atëherë edhe prifti duhet të qortohet për shpifje e gënjeshtra dhe duhet paralajmërohet, dhe ne po e paralajmërojmë seriozisht, se për një shpifje të tillë mund të paditet në gjyq.
E katërta ka të bëjë prapë me priftin, por më shumë me gazetarin. Edhepse ky farë Agron Gashi të lë përshtypjen e një zëdhënësi të paguar nga prifti. Në fakt tërë shkrimi s’është gjë tjetër pos një propagandë e ultë, arrogante dhe primitive fetare dhe përçarëse. Më shumë se një çerek shekulli jetoj në Evropë dhe ende nuk më ka rastisë që të lexoj që gazetarë e gazeta serioze të vihen në shërbim të klerit, të kishës e të hapjes së faqeve të tyre për propaganda fetare. Bashkësitë e komunitetet fetare kudo në botë kanë mediat e tyre. Le t’i ketë edhe Bashkësia Islame, edhe Kisha Ortodokse, edhe Kisha Katolike. Atje le të shkruajnë sa të duan dhe sa herë të duan për transfere të ngjashme ndërfetare. Ky farë prifti ynë duke keqpërdorur një gazetar (sheshazi) të papërvojë të një gazete me përvojë dhe që lavdërohet për profesionalizëm, me paralajmërimin-thirrje (!) se të dielën e ardhshme grigja katolike do të begatohet edhe me konvertim edhe të 16 anëtarëve të familjes Mehaj nga Prigoda, ka ra shumë poshte dhe është zhveshur në tendenciozitetin dhe fanatizmin e tij brutal fetar. Koha Ditore dhe gazetari Gashi do të duhej të mos kishin rënë në gracka të tilla që cënojnë objektivitetin e gazetës dhe dëmtojnë profilin e një gazetari. Koha Ditore ka abuzuar me konstruktit gjuhësore Familja Kabashi, Familja Mehaj, Ndërsa dihet se se në Podgur, kabashë e mehaj janë qindra familje.
A mos po kujton prifti zallkuqas (zllakuqanas), Pren Kola se është viti 1990 kur shqiptarët patën hedhur librezat e kuqe të Lidhjes së Komunistëve dhe në vend të 200 mijë sa kishte Lidhja e Komunistëve të Kosovës, u bënë për pak ditë 500 mijë anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës? Lum prifti! Transferi i para gati dy decenieve ishte i motivuar atdhetarisht dhe diç e tillë nuk mund të ndodhë edhe njëherë, sidomos jo kur thirrjet bëhen për mobilizime mbi baza të një feje kundër fesë tjetër. Grigja e besimtarëve nuk shtohet pse një Bajram bëhet Gjergj, një Ajshe Anë, pse duke abuzuar me një fëmijë, një emër i bukur me tingëllimë shqip Puhizë bëhet për shqiptarët Driadë asgjëdomethënëse…, pse 16 mehaj nga Prigoda, punë e madhe, mund të ndërrojnë fe e emra… Sepse, edhe Gjergji, edhe Ana, edhe Puhiza si dhe mehajt (farefisi i Ajshes), do të shkojnë në Norvegji, a nuk iku kësodore edhe Bajrami ynë, ose Gjergji i ri 51 vjeçar…, dhe pasi “të bëjnë letrat”, duke u ankuar para autoriteteve azildhënëse se janë nën presion nga “islamistët e dhunshëm”, do të vijë ndonjëri prej tyre gjatë pushimeve që të shohin dhe të angazhohen edhe për konvert-transfere të tjera, me qëllim që ta zbrazin Kosovën dhe ta lënë të shkretë pishinën e bukur dhe, në këtë rast krejtësisht të pafajshme në Zallkuq.
Krejt në fund, pasiqë prifti në mënyrë fort hileçare na ka përmendur si familje, respektivisht të “afërm” që gjoja e e paskemi mbështetur aktin e kthimit të Bajramit në katolicizëm, kam autorizimin të deklaroj në emër të farefisit e të familjes së ngushtë e të gjerë se ne as kemi ditur se çfarë fabrikonte me kokën e tij Bajram Kabashi. Dhe për të qenë të ndershëm deri në fund, ne të gjithë mbesim me shumë bindje dhe shumë krenarë në fenë tonë, në besimin e baballarëve e të nënave, të gjyshërve e të gjysheve, të stërgjyshërve e stërgjysheve…, duke e konsideruar atë të mrekullueshme e të hyjnueshme. Por me një ndryshim nga desh e dele të reja (në trajta Bajramash-Gjergjash), bashkuar grigjës së Don Pren Kolës, ne nuk urrejmë e nuk fyejmë fetë e tjera, as besimtarë të konfesioneve të tjera minoritare jomuhamedane në trojet shqiptare…, dhe më gjerë në botë. Ky është edukacioni ynë ardhur nga familja dhe predikuesit e fesë së Muhamedit a.s.. Bajramit neve nuk kemi çka i themi, feja e tij e re, ishte zgjidhja e tij e lirë, ndërsa trishtimin që ai i ka shkaktuar nënës sonë, po pati fuqi njerëzore, le ta injorojë… Pastë kohë e paftë nëse për të ishte më i rëndësishëm e njerëzor sakramenti i priftit apo dhimbjet që ai i ka shkatuar Nënës Fatime, të dashur për gjithë Gurrakocin dhe rrethinën.
Krejt në fund: ai, sado i lajthitur, nevrik…, sado tepër i paqartë dhe paragjykues në konceptet e tij mbi fetë, kombin, kulturën e historinë, megjithatë është dhe do të mbetet vëllau ynë nga nëna e baba, nga gjaku e gjuha, trolli që na ka rritë, nga gjinjtë e vetëm të nënës sonë (shqiptare myslimane e devotshme) që na kanë ushqyer. “Vëllezërit tanë myslimanë” apo “vëllezërit tanë shqiptarë ortodoksë” si dhe “vëllezërit tanë katolikë”, janë shprehje tepër të fuqishme dhe nuk rrënohen dot nga Dom Pren Kola dhe aleancat e tij kundërkombëtare e anticivilizuese.
Salih KABASHI
(Edhe në emër të familjes së Hysen, Selim e Smajl Kabashit nga Gurrakoci, Tomoci, Tomoci i Epërm e Lubjana)