Karim Benzema është lënë jashtë kombëtares së Francës për Europianin që po zhvillohet gjatë kësaj vere po në Francë, dhe sulmuesi thotë se e di arsyen.
Benzema beson se islamofobët dhe racistët kanë lobuar që t’ia pamundësojnë atij të bëhet pjesë e kombëtares në Euro 2016.
-Didier Deschamps u është dorëzuar presioneve raciste, ka thënë sulmuesi i Real Madridit për Marca, përcjellë Klan Kosova.
-Ai e di se një parti e ekstremit të djathtë është renditur e dytë në zgjedhjet e fundit.
Për mos-thirrjen e Benzemas nga kombëtarja është zhvilluar një debat i madh në Francë, ku janë përfshirë figura nga sporti dhe politika.
Madje edhe Kryeministri francez, Manuel Valls, kishte thënë se Deschamps nuk duhet ta zgjedh Benzeman si sulmues, pasi që ai nuk është në standardin e duhur moral për ta përfaqësuar vendin.
Por, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i Benzemas.
-Ka 12 sezone që luaj si profesionist; 541 lojë, zero kartonë të kuq, 11 të verdhë. Dhe pastaj disa njerëz thonë se unë s’jam shembulli mirë, kishte shkruar Benzema në Twitter, njofton Klan Kosova.