Beogradi nervozohet me deklaratat e Topit në Shkup

Reagime negative janë paraqitur në mediat serbe pas vizitës së presidentit shqiptar Bamir Topi në Shkup. Opinionit serb posaçërisht i “dhemb” apeli i presidentit Topi deri te mediumet që të “izolojnë mesazhet qëllimkëqija që liferohen me prapavijë nacionaliste, posaçërisht ato që vijnë nga Serbia”, transmeton gazeta “Lajm” nga Shkupi, në edicionin e saj elektronik.

Gazeta beogradase “Novosti” konstaton se Maqedonia si vend i “ konfliktit të ngrirë” gjendet para rrezikut potencial. Kjo gazetë ka ironizuar me rolin e faktorit politik shqiptar në Ballkan në qetësimin e situatës së tensionuar që u shkaktua pas vrasjes së pesëfishtë në periferi të Shkupit.

“Pas ‘ndihmës’ së Hashim Thaçit në vizitë ka arritur edhe presidenti shqiptar Bamir Topi i cili ka porositur se vendi i tij i jep mbështetje të fortë stabilitetit në Maqedoni”, shkruan kjo gazetë.

Profesori në Fakultetin e shkencave politike në Beograd Dragan Simeunoviq, vlerëson se deklarata e presidentit Topi ka ardhur në një moment delikat për Serbinë. Ai madje ka vlerësuar se kjo deklaratë mund të ketë reflektim ndaj gjendjes së serbëve në Kosovë të cilët “mund të shndërrohen në viktimë të kësaj deklarate”.

Sipas analistit ushtarak serb Aleksandar Radiq, Maqedonia është “bombë e kurdisur” për shkak se modeli i këtushëm për barazi etnike është vetëm farsë. Sipas tij, në periudhë afatgjate, ky “konflikt i ngrirë” mund të jetë burim i konflikteve potenciale në rajon. Radiq ka thënë se fitili i këtij konflikti është në duart e shqiptarëve, por shton se “grupet e rrezikshme” nuk janë të lotuara në Tiranë por në Maqedoni dhe Serbinë Jugore.

“Qendra e idesë për Shqipëri të Madhe moti kohë është zhvendosur nga Shqipëria. Në interes të zyrtarëve të atjeshëm është ruajtja e stabilitetit”, ka thënë Radiq.

Kjo gazetë e ka transmetuar edhe deklaratën e kryeministrit Sali Berisha me të cilën e ka dënuar vrasjen e pesëfishtë në Shkup, duke theksuar se ky lloj incidentesh nuk mund të jetë shkak për nxitjen e konflikteve. Gazeta serbe theksin e ka vendosur edhe te qëndrimi i kryeministrit Berisha se qëndrimi i Shqipërisë për kufijtë në rajon është i njohur – respektim i kufijve aktual.

Artikulli paraprakÇeku: Forca, opsion për veriun!
Artikulli vijuesRIKAPITALIZIMI I BANKAVE GREKE ’’VENDIMTAR’’ PËR RIMËKËMBJEN EKONOMIKE