Derivatet e naftës nuk kontrollohen në kufi dhe kjo lë hapësirë për dyshime për cilësinë e këtij produkti që shitet në tregun e Kosovës, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
“Nuk ka kontroll të cilësisë së derivateve të naftës. Deri më tash nuk është kontrolluar më shumë se tre për qind, por edhe nga kjo sasi që është kontrolluar, ka rezultuar që një pjesë e madhe të jetë jo konform ligjeve, që do të thotë se gjatë importit nuk është kontrolluar, ose se 97 për qind e naftës futet në Kosovë pa u kontrolluar. Në bazë të një udhëzimi administrativ, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka zëvendësuar laboratorët me Trupa Inspektues, dhe këta trupa bëjnë vetëm përshkrimin e analizave dhe jo kontrollet laboratorike.
Në Kosovë ekzistojnë katër Trupa Inspektues dhe tre laboratorë. Ne, si shoqatë, disa herë i jemi drejtuar ish-ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila dhe ish- ministrit Bernard Nikaj që cilësia e derivateve të kontrollohet në kufi, por nuk kanë pasur interes për këtë çështje. Në vitin 2014 kemi pasur 150 lëndënë gjykata për moscilësi.
Por, unë mendoj se ato pika të shitjes së karburanteve nuk janë fajtore për atë cilësi, për shkak se nuk janë importuese. Nafta, e cila hyn në kufi nuk kontrollohet, por vetëm lexohet certifikata e cilësisë . Unë e quaj skandal, pasi 150 lëndë janë në gjykatë, ai derivat është dashur të konfiskohet dhe jo të lejohet të shitet në treg, pasi nuk ka qenë konform standardeve. Dhe për këtë duhet të ketë përgjegjës”, thekson Berjani.