Berlini, mesazh Tiranës: Kujdes me kufijtë e Kosovës!

Gjermania edhe njëherë ka shprehur qartë qëndrimin e saj se është kundër ndryshimit të kufijve, më konkretisht mes Kosovës dhe Serbisë, që nga presidenti Thaçi, promovues dhe mbrojtës i kësaj teze, quhet ndryshe “korrigjim kufijsh”.

Ka qenë ministri i Shtetit, Michael Roth, ai që i intervistuar nga DW, e ka bërë të qartë qëndrimin e Berlinit, duke e shoqëruar dhe me një arsyetim përkatës.

“Qëndrimi ynë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi, Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi.

Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit të dominosë. Për proceset e anëtarësimit në BE kjo me siguri që nuk do të ishte aspak e dobishme”, tha zyrtari i lartë gjerman.

Sipas tij, është e kaluara ajo që na mëson se me kufijtë nuk duhet luajtur.

“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme.

Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura”, tha Rroth.

E nga ana tjetër, ai ka kërkuar nga Tirana zyrtare që të mos mbajë anën e ndryshimit të kufijve, e thënë prej tij në mënyrë shumë të moderuar.

“Nga Shqipëria ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve”, deklaroi zyrtari i lartë i Berlinit, ministr i Shtetit, Michael Roth. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakEuropa drejt javës katër ditore të punës?
Artikulli vijuesSHBA ofron lehtësime për oficerët venezuelas nëse mbështesin Guaido-n