BESA tribun për arsimin shqip: Profesorët kritikojnë gjendjen e arsimit shqip

Profesorë dhe doajenë të arsimit shqip në vend kanë drejtuar kritika të ashpra për gjendjen e arsimit. Gjatë debatit të organizuar nga Lëvizja Besa me rastin e 7 marsit, ata kanë vënë në dyshim cilësinë e arsimit. Shkaqet për këtë, sipas tyre, janë të shumta megjithatë, ata vunë theksin te reformat në arsim, populizmin dhe politizimin e institucioneve arsimore. Lulzim Aliu nga Departamenti për Arsim në Lëvizjen Besa, tha se rrethanat dhe kushtet në të cilat zhvillohet arsimi janë në gjendje të mjerueshem. Duke thënë se Arsimi është shtylla kryesore ku Lëvizja Besa e bazon programin e saj, Aliu vuri në dukje që synimi i këtij debati është gjetja e një zgjidhje.

“Ne sot ballafaqohemi me probleme të natyrave të ndryshme. Problemet vërehen që nga arsimi parashkollor, mungesa e çerdheve dhe kopshteve. Probleme kemi edhe në arsimin fillor, arsimin e mesëm të detyrueshëm, arsimin e lartë, gjithandej”, deklaroi Lulzim Aliu nga Departamenti për Arsim në Lëvizjen Besa.

Profesori universitar, Bujar Saiti, vlerësoi se nuk duhet të fokusohemi te pasojat por të kërkojmë shkaqet për problemet më kruciale të arsimit. Ai tha se etimologjia ministër është të kujdesësh për dikë që ka nevojë ose të vihesh në shërbim të atij dhe ta menaxhosh atë. Ndërsa parashtroi pyetjet pse nuk i shërbehet arsimit shqip, përse ai nuk inkurajohet por dënohet, përse nuk frymëzohet por persekutohet.

“Realisht arsimi në gjuhën shqipe pëson dëme të mëdhaja. Antivlerat promovohen si vlera dhe vlerat krejtësisht kanë marrë një debakël. Edhe vetë arsimtari i cili më herët ka qenë i çmueshëm dhe i respektueshëm sot krejtësisht bie në një pozitë mos të them që pak kush e respekton arsimtarin në procesin arsimor por edhe vetë procesin arsimor” ka deklaruar profesori universitar Bujar Saiti.

Ndërkaq, profesori Hasan Jashari thotë se arsimi shqip në vend është shumë i diskriminuar. Sipas tij, shkollat shqipe kanë kushte të mjerueshme dhe janë të mbytura në borxhe. Absurdi rreth kësaj, sipas tij, është se askush nuk bën zhurmë për këtë situatë.

“Kemi një pabarazi të madhe të shkollave shqie në krahasim me ato maqedonase duke marrë parasysh që ato maqedonase janë të pajisura më mirë, ata kanë kushte më të mira më tepër investohet aty kurse në shkollat shqipe ka kushte jashtëzakonisht të vështira”, është shprehur profesori Hasan Jashari.

Profesorët gjatë debatit përmendën edhe mjetet e shfrytëzuara në mënyrë joefikase, reformat jo adekuate, numri i mbingarkuar i studentëve dhe mungesa e kuadrove arsimorë si çështje që dëmtojnë cilësinë e arsimit.

Artikulli paraprakKryetari i Butelit: S’kemi marrëveshje me Mexhitin për kryqin (Video)
Artikulli vijuesMaqedonia, udhëkryqi fatkeq për të mbeturit pa atdhe