Kryetari i Butelit: S’kemi marrëveshje me Mexhitin për kryqin (Video)

Qytetarët e Butelit bashkë me krerët e Komunës, protestuan para Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar kështu nga kreu i këtij dikasteri, sigurimin e vendit ku do të vendoset kryqi. Kreu i Butelit, Petre Llatinovski hodhi poshtë zërat se vendimi për ndërtimin e kryqit është shfuqizuar.

“Të gjithë zërat se vendimi për ndërtimin e kryqit në Butel është i shfuqizuar, i hedhë poshtë si të pavërtetë. Iniciatori për ndërtimin e kryqit është Kongresi Botëror Maqedonas dhe i njëjti duhet të bëjë kërkesë për shfuqizim apo ndryshim. Deri më tani diçka e tillë nuk është bërë. Nuk ka asnjë marrëveshje deri më tani mes meje si kryetar i Komunës Butelit dhe kryetarit të Komunës Çairit”, deklaroi Peter Llatinovski, kryetar i komunës së Butelit.

Kreu i Këshillit Komunal të Butelit thotë se vendi ishte i uzurpuar dhe se nuk do të ndalen protestat deri në sigurimin e vendit dhe mundësimin e kushteve për ndërtimin e kryqit.

“Nga sot kërkojmë urgjentisht sigurimin e vendit, sepse ashtu siç e dini të gjithë, ai vend ishte i uzurpuar, jo nga banorët e Butelit, por nga banorë të komunave dhe qyteteve të tjera. E lusim që menjëherë të dërgojë sigurim në atë vend”, u shpreh Bobi Bojçevski, kryetar i Këshillit komunal.

Protesta e qytetarëve të Butelit vjen dy ditë pas protestës së Kongresit Botëror Maqedonas, i cili kërkoi poashtu mundësimin e kushteve për ndërtimin e kryqit, si dhe largimin e shqiponjës nga rreth-rrotullimi në Fushtë Topanë dhe vendosjen e bustit të Fan Nolit, si themelues i Kishës ortodokse shqiptare.

Artikulli paraprakBllacë, 50 persona varrosen në pronë private
Artikulli vijuesBESA tribun për arsimin shqip: Profesorët kritikojnë gjendjen e arsimit shqip