Besa: Vendimi për 'Monstrën' konfirmon gjykatat janë të politizuara

Pas konfirmimit të vendimit gjyqësor me burg të përjetshëm për rastin “Monstra” edhe nga Gjykata e Apelit, lëvizja Besa ka shprehur zhgënjimin se, përkundër gjithë asaj që u tha se Maqedonia ka gjykata të politizuara, kjo përsëri u konfirmua.

Ndonëse ndërkohë në opinion dolën në qarkullim plot informata se ky është një rast krejt i politizuar dhe të burgosurit shqiptarë, që janë gjykuar me burg të përjetshëm, janë krejt të pafajshëm, kjo nuk ndikoi aspak që Gjykata e Apelit të reflektojë dhe të mos jetë vetëm vulë e vendimit arbitrar dhe, aq më shumë, tendencioz dhe antishqiptar.

Për këtë arsye Lëvizja BESA edhe një herë konstaton se në Maqedoni drejtësia ka perënduar dhe shqiptarët nuk kanë më besim në këto institucione të drejtësisë. Rrjedhimisht, BESA pas këtij vendimi, do ta shqyrtojë seriozisht mundësinë që të bëjë thirrje publike që shqiptarët të mos e pranojnë sistemin gjyqësor të Maqedonisë dhe të mos u përgjigjen institucioneve të drejtësisë në të, ndërsa në konsultim me familjarët këto ditë do të shqyrtojë edhe mundësinë e thirrjes për një protestë gjithëshqiptare kundër këtij keqpërdorimi të sistemit gjyqësor nga partitë në pushtet.

Artikulli paraprakJa pse Facebook nuk po e largon videon e Donald Trumpit
Artikulli vijuesNxënëset me shamia janë shtylla e ardhmërisë, janë të parat në mësim