Besimtare të Paragjykuara: Ç’u tha e ç’nuk u tha

Nga Anjeza Xhaferraj*

Çështja e lirisë së besimit, e paragjykimit të myslimanëve dhe sidomos e mbajtjes së shamisë, në syrin e opinionit publik, ka qenë vetë subjekt i paragjykimit. Xhaferraj shkruan se debati mbi mbajtjen e shamisë është bërë gjithnjë përmes paragjykimesh, sidomos nga opinionistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut

Të enjten e shkuar, patëm mundësinë të ndiqnim në emisionin “Opinion” në TV Klan, temën ‘Besimtare të Paragjykuara’. Synimi i emisionit ishte të shihte nëse paragjykohen apo jo besimtaret myslimane që mbajnë shami. Dëshmitë na erdhën përmes një studimi të kryer në lidhje me këtë temë, por autorët e studimit nuk ishin aty, të na shpjegonin se si ishte kryer studimi, si ishin kontaktuar njerëzit etj. etj. I vetmi person që mund të sillte dëshmi personale ishte zonja Albina Ferko, mbajtësja e shamisë. Të tjerët, që ndanin të njëjtin kah të panelit, duhej të hamendësonin në lidhje me paragjykimin sipas stilit living in the other’s shoes (të vihesh në vendin e tjetrit), edhe pse nuk u fol për këtë. Ndërsa paneli kundruall, shpalosi në hapësirën kohore të dhënë me shumë bujari gjithë paragjykimet e mundshme që patën.

Po cilat ishin paragjykimet që dolën në pah? Paragjykimet lëvizën kryesisht në këto dy shina: Vajza që mbulohet nuk është e lirë, pra shamia i është imponuar dhe shamia na vjen prej vehabistëve të Arabisë Saudite. Në linjë me këtë të fundit, vendosja e shamisë, sipas Zhejit, është kthim në modelin arab (edhe pse nuk besoj se në këtë rast mund të përdoret fjala kthim, meqë kthimi ka të bëjë më shkuarjen drejt një pike ku ke qenë më parë) dhe veshja është tipar i formave radikale të besimit, forma që në Evropë janë vënë re 200-300 vite më parë. Duke qenë se feja nuk u financua prej së brendshmi por prej së jashtmi (p.sh. prej Arabisë Saudite), në Shqipëri, në gjendjen ‘tabula rasa’, u mboll një fidanishte e çoroditur ndaj së cilës ka refuzim. Komente të tjera që më tërhoqën vëmendjen ishin: tradita shqiptare është e traditës suni, kryesisht e variantit turk (Fico), tashmë shamia nuk më shkakton problem (Stefani dhe Zheji), debati mbi shaminë e ka bërë qesharake fenë, sepse besimi fetar do të duhej të ishte rreth gjërave të mëdha, me të keqen, me moralitetin, raportin me njerëzit, me të mirën, me familjen, por ka ardhur puna, që të jesh besimtar i mirë është se sa e vesh fustanin dhe a e vë shaminë (Fico).

Ndërkaq, pasi u shpalosën paragjykimet, Fico sqaroi se burimet e paragjykimeve vinin prej: 1. Ndarjes radikale që ka midis fesë dhe nacionalizmit shqiptar (në mitin nacionalist shqiptar feja është kundërshtar i nacionalizmit); 2. ka një brez të madh që është rritur në shoqëri ateiste dhe pamja e njerëzve që demonstrojnë përkatësinë fetare hapur është një pamje që nuk jemi mësuar; 3. jemi të orientuar drejt perëndimit dhe nuk jemi jashtë influencave të paragjykimeve mbi bazën e një përshkrimi bardhezi të realiteteve aktuale, sipas një narrative, ku bota perëndimore është e përparuar dhe bota lindore me traditë islame, është e prapambetur.

Pas kësaj rezymeje të shkurtër, do të doja të thosha edhe unë opinionin tim.

Së pari, në lidhje me metodologjinë e emisionit: Nëse duam të dimë nëse ka paragjykime apo jo, do të ishte e udhës të ftoheshin të paragjykuarit. Dhe përveç Albinës, aty unë nuk pashë ndonjë të tillë.

Së dyti, nuk mund të devijohet skema e emisionit dhe të bëhen pyetje të tipit: Pse e mban shaminë? Nëse doni përgjigjen e kësaj pyetjeje, duhet të ftoni hoxhallarët dhe përgjithësisht ekspertët e çështjes, që mund t’ju japin sqarime në lidhje me këtë çështje. Besimtari e mban shaminë, pikë së pari si shprehje të një akti besimi, dhe pikërisht për këtë arsye, nuk mund të të sqarojë në rast se nuk është edhe vetë dijetar. Përveç dijetarit në fjalë, mund të ftohej edhe ndonjë sociolog, filozof apo edhe psikolog, që ndoshta mund ta shpjegonte nga rrafshi respektiv i ekspertizës, se cilat janë implikimet që sjell mbajtja e shamisë në hapësirën publike.

Së treti, është qesharake të interesohesh vetëm për aspektin e jashtëm të besimit, në këtë rast për mbajtjen e shamisë dhe pastaj t’i akuzosh besimtarët, në këtë rast myslimanët, për reduktim të fesë në formalitet. Jam shumë dakord me zonjën Fico, kur thotë se, po perifrazoj këtu: debati mbi shaminë e ka bërë qesharake fenë, sepse besimi fetar do të duhej të ishte rreth gjërave të mëdha, të merrej me raportin e njeriut me të mirën dhe të keqen, me moralitetin, me familjen, por ka ardhur puna që të jesh besimtar i mirë është se sa e vësh fustanin dhe a e vë shaminë. Por dua të them, se axhendën e debatit nuk e përcaktojnë myslimanët. Nëse zonja Fico do të shkonte në xhami të premteve, me të gjitha gjasat do të kalonin shumë të premte para se ajo të dëgjonte të flitej për shaminë. Në fakt, hutbet e hoxhallarëve flasin pikërisht për raportin e njeriut me Zotin, me të mirën dhe të keqen, me moralin, me të drejtën, me rëndësinë që ka për t’u kujdesur për jetimët dhe të pafajshmit, me dorën që i duhet shtrirë nevojtarit, flitet sesi njerëzit dënohen nëse vjedhin, vrasin apo gënjejnë. Në hutbe flitet se ç’raporte duhet të kenë prindërit me fëmijët, bashkëshortët me njëri-tjetrin, se ç’raporte duhet të ketë njeriu me hapësirën publike. Po nuk e di pse, këto çështje nuk ja dalin të mbërrijnë asnjëherë në ekranet tona: Axhendën e debatit nuk e vendosin myslimanët, zonja Fico.

Është për të ardhur keq, që në këtë katrahurë morali ku jetojmë: ku shefat shantazhojnë vartëset për favore seksuale, ku rrugët nuk kanë siguri dhe vdesin qenie të pafajshme, ku jetimi nëpërkëmbet, ku të ‘zgjedhurit’ tanë janë në garë me njëri-tjetrin se kush ka më tepër dosje në prokuroritë e ndryshme të botës (gjeografia e veprave penale është për t’u pasur zili’), ju vendosni të merreni me shaminë. Këtij vendi nuk i ka ardhur ndonjëherë e keqja prej shamisë. Në narrativën fetare, letrare apo historike, shamia ka qenë gjithmonë një objekt i pafajshëm, që herë mbulon flokët apo shpatullat e grave, dhe herë fshin lotët e Marisë apo gjakun e Isait a.s. Të keqen e kemi në mes nesh, në mungesën totale të vlerave morale të shoqërisë sonë, që në 1990 na paskësh qenë ‘tabula rasa’, e që tashmë, pavarësisht se e orientuar drejt perëndimit, është kthyer në një moçalishte të ndotur, prej së cilës duam të ikim me vrap.

*pedagoge, UET

Maj 2016

Artikulli paraprakRefugjatja që ua shpëtojë jetën 20 njerëzve do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike
Artikulli vijuesTiranë: Dje u sulmua një vajzë për shkak të shamisë