Besimtarët bëhen gati për Haxh

Shkup, 2 shtator – Sesa është numri i besimtarëve që do të nisen gjatë këtij muaji nga Maqedonia ende nuk dihet. Nga Bashkësia Islame nuk japin asnjë një lloj informacioni, as sa i takon interesimit të personave, aplikimeve të bëra për marrjen e vizës për në Arabinë Saudite që kryhet përmes këtij institucioni, apo edhe sa i takon numrit të rezervimeve të bëra në BFI. Nga agjencitë turistike thonë se interesimi është i njëjtë, ndërsa të tjerë pohojnë se interesimi është ulur krahasuar me vitin e kaluar

Përgatitjet për nisjen e besimtarëve nga Maqedonia për pelegrinazhin në Mekë janë drejt fundit. Këto ditë kanë nisur vaksinimet për këta persona, ndërsa nga java e ardhshme nisen edhe grupet e para që do të udhëtojnë në rrugë tokësore, ndërsa për grupet që udhëtimin do ta bëjnë me avion nisja është pak më vonë. Sesa është numri i besimtarëve që do të nisen gjatë këtij muaji nga Maqedonia – ende nuk dihet.

Nga Bashkësia Islame nuk japin asnjë një lloj informacioni, as sa i takon interesimit të personave, aplikimeve të bëra për marrjen e vizës për në Arabinë Saudite që kryhet përmes këtij institucioni, apo edhe sa i takon numrit të rezervimeve të bëra në BFI. Edhe pse për këtë organizim që kryhet çdo vit në prag të festës së Kurban Bajramit në BFI është ngritur një komision i posaçëm që merret me këtë çështje, nga zyra për marrëdhëniet me publikun thonë se nuk kanë numër të saktë as sa i takon numrit të përgjithshëm të personave, për të cilët është aplikuar për tu pajisur me viza, apo edhe të besimtarëve që do të shkojnë përmes BFI.

Ndërkohë që agjencitë turistike nga disa qytete që prej vitesh organizojnë pelegrinazhin për në Mekë japin të dhëna të ndryshme interesimin e sivjetshëm. Një pjesë janë të kënaqur dhe pohojnë se ruajnë kuota të njëjta me vitin e kaluar, të tjerë thonë se interesimi ka qenë më i vogël. Në agjencinë turistike “Ardi” pohojnë se edhe këtë vit, shifrat janë të njëjta me vitin e kaluar, gjithsej 192 prenotime. Sipas drejtorit Nexhmedin Fazliu, kërkesat kanë qenë jo vetëm nga Shkupi e nga qytete të tjera, por edhe nga shqiptarë që jetojnë në diasporë.

Të njëjtin vlerësim e japin edhe nga një tjetër agjenci nga Shkupi – “Tajba Tur”, ku drejtori Abaz Memeti pohon se këtë vit kanë një numër të njëjtë, gjithsej 111 persona, pjesa dërrmuese nga Shkupi, por edhe nga qytete të tjera. Çmimet për shkuarjen në Mekë variojnë nga 2600 deri në 3500 euro, çmime që ofrojnë përkatësisht udhëtimin në formë tokësore, ose me aeroplan deri në destinacion. Nga agjencia “Meka-Medina”, thonë se këtë vit interesimi është më i vogël. Rezervimet e bëra në këtë agjenci janë gjithsej 60 dhe kriza ekonomike është një prej faktorëve që ka ndikuar në këtë reduktim numri, sipas drejtorit Ibrahim Abdurrahimi.

“Këtë vit kemi më pak se vjet dhe interesimi është më i vogël. Kuptohet se gjendja ekonomike ndikon në uljen e numrit”, thotë Abdurrahmani. Ndërsa nga agjencia turistike “Hajat” nga Kumanova, pohojnë se bilanci i sivjetshëm është i kënaqshëm. Sipas drejtorit Hajrulla Sadiku, numri i udhëtarëve është 50 dhe përveçse nga Kumanova, prenotimet janë bërë edhe nga qytete të tjera. Pelegrinazhi në Mekë, ose Haxhi konsiderohet si shtylla e pestë dhe e fundit e islamit, që nënkupton kryerjen e një udhëtimi në Mekë, që simbolikisht është udhëtim nga materialja tek shpirtërorja. Rituali që zgjat tre ditë bëhet në festën e Kurban Bajramit, më 24 shtator. (Koha)

© ZHURNAL.mk
Artikulli paraprakVeni re! Shkijet, Rusët dhe Bjellorusët kryejnë stërvitje të përbashkët ushtarake
Artikulli vijuesRreth 600 policë maqedonas, vetëm 46 shqiptar