BFI i bashkangjitet botës demokratike në luftë kundër terrorizmit

Dita e djeshme në historinë më të re të njerëzimit do të ngelë si ditë e ngjarjeve më vendimtare për mbarë botën! Terroristët dje ia mësyen kryeqendrës botërore, Brukselit, duke vrarë mbi 30 vetë e duke plagosur me qindar të tjerë. Terroristët dje morën guximin që t’i shpallin luftë qendrës botërore të sigurisë, të paqes, të civilizimeve, të kulturave, të lumturisë, të harmonisë si dhe bashkëjetesës më të përkyer. Terroristët nuk i duan këto vlera!

Dje, mbarë bota u trondit nga aktet terroriste që u kryen mu në zemër të Europës, fatkeqësisht, në emër të fesë islame. Terrorizmi, vrasja e njerëzve të pafajshëm, është akti më i papëlqyer, më i shëmtuar, më i papranueshëm dhe i mallkuar në islam. Prandaj, askujt nuk i lejohet të manipulojë e të veprojë në mënyrë kriminale në emër të islamit. Dita e djeshme, pa dyshim që do të shënojë një kthesë historike në bashkimin e të gjitha forcave të shteteve perëndimore që do t’i dalin përballë kësaj të keqe, duke e shpëtuar njerëzimin por, nga ana tjetër, edhe islamin nga kjo etiketë terroriste e papranueshme dhe e mallkuar. Në ajetin 32 të sures El Maide thuhet: “Kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve .” Prandaj, Bashkësia Fetare Islame në RM, edhe një herë fuqishëm ngrit zërin kundër këtyre akteve terroriste dhe i fton të gjithë besimtarët myslimanë, anekënd globit, që të bashkohen me faktorët perëndimorë e t’i bashkërendojnë të gjitha veprimet kundër të gjithë terroristëve. Ata nuk kanë fe, nuk kanë komb, nuk kanë ideologji. Ata kanë për synim vrasjen masovike të njerëzve të pafajshëm. Allahu Mëshirëplotë i porositë myslimanët që ta duan njeriun, ta duan të mirën, ta duan mirëqenien.

Brukseli, mbarë Belgjika, është pasqyrë e botës ku pasqyrohen vlerat më të çmueshme të divergjencave shoqërore, kulturore e fetare,që frymojnë në një harmoni të plotë. Bota dje vendosi që ta ruajë këtë pasqyrë të përkryer, duke e denuar fuqishëm tërë atë akt makabër që ndodhi në qendër të saj.

BFI në RM, duke shprehur dhembje të thellë për të gjitha viktimat e terrorizmit, për të plagosurit e të dëmtuarit, përcjell ngushëllimet më të thella deri te udhëheqësit e shtetit të Belgjikës, deri te qytetarët e këtij shteti si dhe te familjarët e viktimave. Të plagosurve u dëshiron shërim sa më të shpejtë. Njëkohësisht, shprehim dëshirën dhe gatishmërinë tonë të përhershme që në përputhje me misionin tone fetar, të vihemi në krahun e forcave vendimtare për ta çrrënjosur njëherë e mirë terrorizmin në çdo cep të botës. BFI në RM lutet që sa më shpejt të rikthehet paqa dhe siguria në botë, kurse nga myslimanët gjithandej globit kërkon që të japin maksimalisht kontributin e vet për mirëqenie dhe harmoni në përputhje të plotë me porositë e shenjta kuranore.

Artikulli paraprakTensione midis BESËS dhe BDI’së! (VIDEO)
Artikulli vijuesRefugjati djeg veten gjatë protestave në Idomeni