Krerët e BFI-së kanë deklaruar sot se institucione të ndryshme shtetërore nxisin një lloj të ekstremizmit dhe të terrorizmit. Ata akuzojnë Qeverinë për tensionim si dhe sjellje të papërgjegjshme ndaj kulturës, traditës dhe arkitekturës islame. Sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Irsal Jakupi, në konferencën e sotme për media, tha sot se me paraqitjen e tabelës informative, e cila bëri me dije se fillon “restaurimi” i Jeni Xhamisë, ku investitor do të jetë Ministria e Kulturës, gjegjësisht Qeveria e Maqedonisë,po përgatitet sulmi i fundit ndaj xhamisë nëpërmes Entit dhe Muzeut të Manastirit.
“Në fakt, çdo ditë, por edhe nga qeveritarët tanë, mbajtës të funksioneve të larta qeveritare, politikanë, analistë politikë, akademikë, intelektualë dhe të tjerë, dëgjojmë për Terrorizëm Islamik, Radikalizëm, Ekstremizëm, ndërsa si shtet, me të gjitha veprimet e lartë përmendura, aspak nuk jemi pyetur, kush i nxit të gjitha këto paraqitje, gjegjësisht, paraqitja e gjithë kësaj si rezultat i reaksionit të një lloji tjetër terrorizmi, ekstremizmi dhe radikalizmi, e cila në rastin konkret, protagonisti i vetëm dhe kryesor është vetë Qeveria e RM”, ka thënë Sekretari i përgjithshëm i BFI-së, Irsal Jakupi.
Ai gjithashtu tha se edhe pse pas paraqitjes së ankesës nga Drejtoria e Vakëfit, Komisioni për Nacionalizim në vitin 1959 solli vendim që të gjitha xhamitë të lirohen nga nacionalizimi, siç shprehet ai, shumë qartë dhe pastër shihet se shteti është uzurpator dhe vjedhës i xhamisë – uzurpim dhe vjedhje e cila nga viti 1945, të gjitha pushtetet ia transferojnë njëra tjetrës. Jakupi u shpreh se BFI-ja asnjëherë nuk do të heq dorë nga Jeni Xhamia.
“BFI e RM, urgjentisht dhe pa kushte kërkon: të ndërpritet terrori ndaj Jeni Xhamisë – e njëjta të kthehet në gjendjen e mëparshme, si dhe: Jeni Xhamia ti kthehet BFI të RM dhe ti mundësohet pronësia e pa pengueshme, përdorimi i të njëjtës për shkak se Xhamia është pronë e BFI të RM – dhe e askujt tjetër, qoftë ajo edhe shteti. Shteti në këtë rast është okupator, përveç nëse edhe Kryeministri z. NIkolla Gruevski, nuk shkon sipas praktikës së gjyqeve në RM dhe si dëshmi të na kërkon dëshminë e shit-blerjes dhe atë të verifikuar në noter”, ka theksuar Sekretari i përgjithshëm i BFI-së, Irsal Jakupi.
Ai shtoi se përderisa shteti nuk tregon dëshirë për zgjidhje të drejtë të kësaj padrejtësie, atëherë, Bashkësia Fetare Islame do të jetë e detyruar që ti përdorë të gjitha mënyrat dhe mundësitë, që ta kthejë pronën e xhamisë, ta kthen për të shërbyer për atë për çka është ndërtuar, e jo për tu përdorur si ndonjë galeri arti. Sipas tij, ky institucion menjëherë do ta fillon procesin gjyqësor, si dhe ngritjen e padive kundër pjesëmarrësve të kësaj vepre, si dhe do të ndërmarrë edhe masa tjera. Për këtë problematik BFI do ti drejtohet tërë faktorit ndërkombëtar.