Bie drastikisht numri i azilkërkuesve kosovarë në Gjermani

Numri i kosovarëve që kërkojnë azil në Gjermani, ka rënë për 94 për qind në dy muajt e fundit, njoftojnë autoritetet e emigracionit në Gjermani.

DW shkruan se përgjatë muajit shkurt, Gjermania pranonte 1500 kërkesa për azil në ditë nga qytetarët kosovarë. Sidoqoftë, numri i azilkërkuesve ra në njëqind kërkesa në ditë në muajin prill, thotë kreu i zyrës për emigracion në Gjermani, Manfred Shmidt për një të përditshme gjermane.
 
“Njerëzit kanë nisur ta kuptojnë se sistemi i azilit në Gjermani nuk është zgjidhje e problemeve ekonomike që ata kanë në Kosovë”, ka thënë Schmidt.
 
Numri i azilkërkuesve ka rënë shpejt në suaza normale, kur kihet parasysh një numër prej 11.700 kërkesave për azil vetëm gjatë muajit mars, gjë që e vendosi Ballkanin në vend të parë për numrin e azilkërkuesve në Gjermani, duke udhëhequr para Irakut dhe Sirisë, transmeton Indeksonline.
 
DW shkruan se një valë të tillë të imigrimit ilegal në përmasa masive besohet ta ketë si shtysë gjendjen e rëndë ekonomike në Kosovë.
 
Kosova është në mesin e vendeve më të varfra në Evropë, me një shifër të të papunëve prej 45 për qind të popullatës aktuale. Megjithatë, azili politik në Gjermani është i destinuar vetëm për njerëz që vijnë nga vendet ku janë të kërcënuar me jetë. Rasti i imigrantëve kosovarë nuk plotëson kushtet e azilit politik, kështu që autoritetet gjermane nuk kanë aprovuar më shumë 0.2 për qind të kërkesave të azilkërkuesve kosovarë.
 
Për t’u përballë më lehtë me numrin e madh të migrantëve kosovarë në Gjermani, Qeveria gjermane ka ndërtuar një platformë ligjore që procedon në vetëm dy javë përgjigjen ndaj migrantëve në Gjermani. Në këtë mënyrë, azilkërkuesit do të mund të kenë në dorën e tyre përgjigjen më shpejtë dhe më sakte, duke mos iu lënë hapësirë qëndrimi në shtetin gjerman, transmeton Indeksonline.
 
“Aplikimi i kësaj procedure ka çuar në tkurrje të numrit të azilkërkuesve që tashmë janë në Gjermani dhe atyre që pretendojnë të hyjnë ilegalisht në këtë shtet”, thotë Schmidt.
 
Ai shton se arsye tjetër pse numri i migrantëve ka rënë në mënyrë kaq drastike, janë disa kampanja mediale që Qeveria e Kosovës ka sponsorizuar për të informuar qytetarët me procedurat e azilit në Gjermani.kohaislame
Artikulli paraprakEverest, 17 trupa të pajetë dhe 21 të plagosur. Gjithsej 1 mijë alpinistë në kampin bazë
Artikulli vijuesPër ta luftuar korrupsionin, Kosovës i duhet ligji “anti-mafia”