Hebrenjtë nga Prishtina: Jemi dëbuar, do ta padisim Kosovën

Me rastin e zbulimit të pllakës përkujtimore kushtuar viktimave të Holokaustit, në qendër të Prishtinës, sot janë deklaruar përfaqësuesit e hebrenjve të dëbuar nga Kosova, por edhe njohësit e rrethanave historike nga periudha e Holokaustit.

Nisim Konforti braktisi Prishtinën para bombardimeve, dhe së bashku me familjen shkoi në Izrael. Ai është i zemëruar në institucionet kosovare, të cilat, dy vite pas ngritjes së lëndës në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ende nuk i kanë kthyer përgjigje për kthimin e pesë shtëpive në qendër të qytetit, të cilat i takonin nënës së tij, anëtarit të vetëm të familjes që i mbijetoi Holokaustit. Ai paralajmëron se do t’i drejtohet Gjykatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, në Strasbourg.

“Para se ta vizitoja Prishtinën, para dy viteve, një mik i imi dorëzoi një kërkesë në Komunë, bashkë me dokumentacionin e kompletuar. Në kërkesë nënvizohej fakti që për ato shtëpi ekzistojnë pronarët, që posedojnë gjithë dokumentacionin, që dëshmon se ato janë konfiskuar, nacionalizuar dhe marrë në kohën e Holokaustit”, tregon Konforti për radio KIM.

Sipas tij, shtëpia e tij familjare, që ndodhej në qendër të Prishtinës, është djegur në vitin 1997, dhe pas kësaj ngjarje, ai, bashkë me familjen – meqenëse bashkëshortja i punonte në Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP) – jetoi në një banesë të përkohshme në ndërtesën e RTP’së, afër tregut. Jetuan aty përkohësisht, duke llogaritur se situata e krijuar do të zgjidhej disi. Por, në ndërkohë u detyrua ta braktiste Kosovën.

“Në të gjitha luftërat ne na kanë plaçkitur dhe vrarë. Unë nuk do të ndodhesha në Izrael, nëse në Kosovë do të kishim çfarëdo mundësie tjetër përpos ikjes dhe lënies prapa të gjithë asaj që kisha, për ku me ditë të satën herë”, thotë ai.

“Në pllakë shkruan se, hebrenjtë shkuan në Bergen-Belzen. Por, kjo nuk është e vërtetë. Ata fillimisht, afro 15 ditë i kaluan në kazermën e Prishtinës. Aty ishte edhe nëna ime, me tre fëmijët e saj. Po atë ditë ia pushkatuan burrin dhe vjehrrin”, thekson Konforti.

Historiani dhe njohësi i rrugëtimit të hebrenjve nga Holokausti e deri më sot, Milos Damjanovic, thotë për radio KIM se, qëllimi i ngritjes së pllakës përkujtimore në Prishtinë është që Kosova të prezantohet si një shoqëri multikulturore dhe multietnike, e cila kultivon vlera europiane.

Ai pohon se, gjatë fjalimit në Prishtinë nuk u përmendën emrat e personave përgjegjës për përndjekjen e hebrenjve gjatë Holokaustit, siç ishte, për shembull, Xhafer Deva.

“Sipas dëshmive të hebrenjve që i mbijetuan Holokaustit, emri i Xhafer Devës ishte njëlloj sinonimi i Hitlerit. Po ashtu, neglizhohet edhe roli i divizionit Skënderbeg, i cili përbëhej nga shqiptarët, dhe i cili mori pjesë në arrestimin e hebrenjve në Prishtinë dhe në dhënien e ndihmës forcave të Gjermanisë naziste për deportimi e tyre. Pra, shqiptarët e Kosovës morën pjesë aktivisht në dhënien ndihmës për forcat okupuese, fillimisht atyre të Italisë, e pastaj edhe atyre të Gjermanisë, gjatë kohës së Holokaustit ndaj hebrenjve, në ndërkohë që harrohen historitë për joshqiptarët që i shpëtuan hebrenjtë në Kosovë”, sqaron Damjanovic.

Në kuadër të ‘Javës së Tolerancës’, e cila në Kosovë mbahet nga 20 deri më 26 maj, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, para ndërtesës së Parlamentit të Kosovës zbuloi një pllakë përkujtimore kushtuar viktimave të Holokaustit.

Me atë rast, kryeministri kosovar deklaroi se, “kurrë nuk duhet të harrojmë ata që e shpëtuan popullatën çifute në ato kohë të errëta, por edhe duhet të gjejmë forcë për të vazhduar rrugëtimin mbi konflikte dhe jashtë urrejtjeve”.

Në ceremoni foli edhe ambasadori i Izraelit, Jozef Levi.

Damjanovic ndërkohë thotë se, është e dhimbshme që “shumë familje serbe dhe rome, nga Prizreni e Prishtina, të cilat morën pjesë në shpëtimin e hebrenjve, dhe të cilat nga Izraeli u shpallën si përkrahëse të së drejtës dhe barazisë mes popujve, nuk u përmenden fare në këtë kontekst”./titulli/kohaislame

Artikulli paraprakSiri – Të paktën 30 të vdekur në luftimet në rajonet e Halepit dhe Kusejrit
Artikulli vijuesKosova ka 137 mijë analfabetë