Bie interesimi i serbëve për integrime evropiane

Serbia ende ka shanse që në qershor të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE, nëse i plotëson kushtet e kërkurara. Por ideja evropiane tek serbët ka përjetuar kohët e fundit goditje shumë serioze.
Interesimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka rënë kohët e fundit tek serbët, jo vetëm në Serbi por edhe në Kosovë. Qeveria serbe pohon se anëtarësimi në BE edhe më tej mbetet prioriteti i saj kryesor, por edhe në radhët e saj janë shtuar zërat skeptik, sepse aktualisht nuk është në gjendje të plotësojë kushtet e kërkuara nga Brukseli.
Partia Demokratike në opozitë kumtoi se „qeveria serbe sërish po e cënon rrugën evropiane të Serbisë, sepse në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, në Serbi nuk është realizuar gati asnjë prej synimeve“. Gjatë këtij tremujori Serbia ka realizuar vetëm 51 % të reformave të kërkuara për këtë periudhë.

Dyert ende të hapura
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin pohon se Serbia ende ka shanse që në qershor të marrë datën e fillimit të negociatave me BE-në. Por nga Brukseli dhe Berlini kanë ardhur kohët e fundit sinjale shumë të qarta se „për Serbinë nuk do të ketë datë për fillimin e negociatave pa nënshkrimin e marrëveshjes për Kosovën“.
Partia Liberale Demokratike e Çedomir Jovanoviqit pohon se „hezitimet për nënshkrimin e marrëveshjes për Kosovën do të shfrytëzohen nga qeveria në Beograd si justifikim për vetëizolimin e ardhshëm të Serbisë“.
„Vendi me një milion të papunë dhe me nivelin më të lartë të largimit të të rinjëve në Evropë, nuk ka të drejtë të humbë asnjë sekondë në rrugën drejt integrimeve evropiane“, kumtoi kjo parti.
Por mungesa e marrëveshjes për Kosovën, kriza ekonomike dhe financiare në BE, kriza e euros, forcimi i ndjenjave antiperëndimore tek disa qarqe, pohimet se pas Kroacisë nuk do të ketë anëtarësim të shpejtë në BE të ndonjë vendi tjetër… Analistët në Beograd pohojnë se këto janë vetëm disa nga elementet të cilat kanë ndikuar që tek serbët të bierë interesimi për afrim me Brukselin dhe për anëtarësim në BE.

Rënie e interesimit për integrime
Ndonëse në sondazhet e fundit rezulton se 65 % e serbëve duan që të vazhdojë procesi i reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian, në 12 vitet e fundit ka rënë në mënyrë konstante mbështetja e idesë për integrim në BE. Sipas sondazheve të fundit vetëm 41 % e pjesëmarrësve të këtyre sondazheve janë të interesuar që Serbia të bëhet pjesë e BE-së.
Zëvendëskryeministrja e Serbisë e ngarkuar për procesin e integrimeve evropiane, Suzana Grubjeshiq pohon se „lodhja e qytetarëve të Serbisë me idenë evropiane është pasojë e mungesë së rezultateve konkrete“. Ndërkohë që ata „nuk janë të informuar sa duhet prej politikanëve për pëparësitë që ofron anëtarësimi në BE“.

Tek serbët e Kosovës interesimi edhe më i vogël
Përqindja e serbëve të Kosovës që nuk e mbështesin idenë e integrimeve është edhe më e lartë. „Rreth 80 % e të rinëjve serbë janë kundër integrimit në BE, sepse anëtarësimi në BE kushtëzohet me nohjen e shtetit të Kosovës“, pohon Nenad Maksimoviq, drejtor i Qendrës për Paqë dhe Tolerancë me seli në Çagllavicë. Sipas tij, „serbët nuk duan të njohin Kosovën si shtet“ dhe „nuk janë të bindur se anëtarësimi në BE do të zgjidhë problemet e tyre“.
Edhe Helena Markoviq, gazetare në Radio Kontakt, e shpjegon këtë refuzim të idesë evropiane prej të rinjve të atjeshëm me kërkesat për njohjen e Kosovës dhe me krizën në BE. Ndërsa studenti Aleksandar Stoliq nga Mitrovica pohon se ideja për integrime evropiane është „paksa e vështirë“.
„Mendoj se ne ende nuk jemi të pjekur për integrim në BE. Ndonëse po bëhen përpjekje të mëdha për përshpejtimin e këtij procesi, unë nuk po shoh ndonjë perspektivë të madhe në këtë drejtim“, pohon Stoliq. Zvogëlimi i interesimit për anëtarësim në BE tek serbët e Kosovës nuk është vetëm pasojë e kërkësave për njohjen e këtij vendi dhe për normalizimin e raporteve mes Serbisë si dy shtete sovrane, por edhe kriza në BE. „Kur shikon situatën e tanishme në vendet e BE-së, përveç Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe, të gjitha vendet e tjera kanë probleme serioze ekonomike. Mendoj se ideja për integrim në BE nuk është fare ide e mirë“, pohon 23 vjeçari nga Mitrovica, duke shtuar se „situata ndoshta do të ndryshojë pas një dekade“./dw

Artikulli paraprakFacebook gjithnjë e më pak i rëndësishëm?!
Artikulli vijuesBie interesimi i serbëve për integrime evropiane