Biletat e shtrenjta të trenave thellojnë problemin e refugjatëve

Policët e Maqedonisë prej sot patrullojnë bashkë me kolegët e tyre nga Sllovenia të cilët mbrëmë arritën në vendkalimin kufitarë Bogorodica. Ata do të qëndrojnë deri me datë 5 të muajit të ardhshëm dhe do të patrullojnë përgjatë kufirit me Greqinë. Në qendrën e pranimit në Gjevgjeli gjenden policë hungarez që bashkë me kolegët e tyre nga vendi bëjnë kontrollin e refugjatëve dhe evidentimin e tyre.

Edhe pse kërkuam deklaratë zyrtare për patrullimet e përbashkëta, ata na u refuzuam me arsyetimin se nuk kishte askush nga kompetentët nga Ministria e Brendshme. Policët e huaj thanë se nuk janë të autorizuar të japin deklarata për mediat. Në qendrën e pranimit jeta e refugjatëve sikur po zhvillohet vetëm në ardhjen dhe vajtjen e trenave që i transportojnë deri në kufirin me Serbinë. Disa nga refugjatët thonë se këtu gjenden prej dy ditësh. Nuk dinin të na thonë përse nuk janë larguar deri tani. Sipas refugjatëve të tjerë, nuk kanë pasur para të mjaftueshme dhe presin grupe të tjera nga vendi i tyre që do t’iu ndihmonin të blejnë bileta që kushtojnë 25 euro.

“Këtu erdha para dy ditëve. Është shumë ftoftë. Shpresoj se tani për dy orë do largohemi”, u shpreh një refugjatë nga Afganistani.

“Tash këtu e kemi mirë. Në Afganistan kishim shumë probleme. Tani kur kaluam nga Greqia, mendoj se problemet tona morën fund”, deklaroi një tjetër refugjatë nga Afganistani. Sipas informatave të UNHCR-së, nga mesnata e deri sot në mesditë, përmes qendrës së pranimit kanë kaluar rreth 2 mijë refugjatë, numri më i madh i të cilëve janë nga Afganistani, Siria dhe Iraku.

Artikulli paraprakBaksuzi, Ogursuzi dhe Rezili (FOTO)
Artikulli vijuesVIDEO: Sinadinovski: Janë 100 mijë shqiptarë ortodoks në Maqedoni!