Bllacë, 50 persona varrosen në pronë private

Ramadan Bardhi nga fshati Bllacë i Shkupit pretendon se në parcelën e tij private janë varrosur rreth 50 kufoma me çka i është uzurpuar një pjesë e pronës së tij. Ai thotë se këtë e kishte kuptuar rastësisht para një viti kur numri i varreve ishte vetëm 5. Që prej atij momenti, siç thotë Bardhi, kishte njoftuar BFI dhe Myftininë e Shkupit prej të cilave kishte kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të varrimeve. Por edhe pas ankesave të njëpasnjëshme, ai thotë se prona e tij private kishte vazhduar të mbushej me varreza.

“Ata kanë bërë varrimin në pronë private, në tokën time këtu. Unë i kam njoftuar para 1 viti që mos të varrosin këtu ndërsa ata më kanë thënë përse nuk e ke rrethuar tokën, por kjo tokë me qindra vjet nuk është rrethuar. Unë kur kam ardhur në një varrim këtu, i kam parë 5 varre këtu dhe kam shkuar menjëherë te BFI-ja dhe i kam pyetur pse janë duke varros këtu? Pastaj nuk e kanë zënë këtë punë të madhe por kanë vazhduar sërish me varros këtu. E kam vendos shenjën që në tokë private mos të varrosin këtu, mirëpo BFI-ja dhe Myftija nuk kanë marrë asnjë lloj mase dhe kanë vazhdua varret”, tha Ramadan Bardhi, banor i fshatit Bllacë.
Ramdan Bardhi thotë se fletë-pronësia që ai posedon dëshmon se parcela është pronë e familjes Bardhi. Ndërkohë, nga Myftia e Shkupit mohojnë një gjë të tillë duke shtuar se banori në fjalë, në takimin që kishte realizuar në Myftini nuk kishte treguar fletën e pronësie. Nga ky institucion madje thonë se në momentin që vërtetohet një gjë e tillë, personit në fjalë do ti dëmshpërblehet parcela e uzurpuar.

“Ne asnjëherë nuk i largohemi përgjegjësisë dhe asnjëherë nuk i largohemi punës që ne të merremi vesh nëse dikush para nesh ka gabuar sepse ne ashtu e kemi gjetur. Prej atë dit kur ne e kemi marr përgjegjësinë dhe ne kemi varrosur askush neve nuk na ka ardhur në teren dhe te varrezat dhe të na thotë që mos të varrosim në këtë vend, për shkak se ky vend është pronë e tjetër kujt, por dikush ka prit 6 muaj ose 7 muaj ne të varrosim njerëz në këtë vend. E jona është që ai të vjen deri te institucioni, ta vërtetoj pronësinë pastaj ti hapim bisedat”, tha Fatmir Zaimi, Myftinia e Shkupit.
Ramadan Bardhi thotë se parcela e tij private kap sipërfaqe prej rreth 2300 metra katrorë. Kjo parcelë gjendet ngjitur me parcelën e BFI-së që është lënë për varrimin e personave që nuk kanë parcela të caktuar për varre.

Artikulli paraprakPse BDI nuk u bashkua për Kumanovën, sikur për kryqin në Butel?
Artikulli vijuesKryetari i Butelit: S’kemi marrëveshje me Mexhitin për kryqin (Video)