FIFA ka pezulluar përkohësisht Presidentin e saj, Sep Blater, Sekretarin e Përgjithshëm, Zherom Valke dhe zëvendëspresidentin Mishel Platini, për 90 ditë.
Ish-zëvendëspresidenti Çung Mong-jun është ndaluar për gjashtë vite dhe është gjobitur me 100 mijë franga zvicerane.
Vendimi është marrë nga Komiteti i Etikës në FIFA.
Blater, Valke dhe Platini po hetohen nga ky komitet në lidhje me dyshimet për korrupsion.
Të tre janë ndaluar nga çdo aktivitet sportiv.
Ata kanë mohuar akuzat.
Sipas Bild, vendimin për këtë pezullim e ka marrë një gjykatës gjerman, i quajtur Hans-Joakim Ekert.
Shkak për pezullimin është bërë hetimi mbi dyshimet e një transferte prej 1.83 milionë euro që ka bërë Blater tek Platini.
Sipas Platini, kjo shumë i përket kohës kur ai ishte këshilltar i Blaterit, nga viti 1998 deri në vitin 2002.
Megjithatë shuma është transferuar në vitin 2011.
Gjërat për Blater janë akoma më keq pasi ai hetohet edhe për një kontratë të pafavorshme për FIFA-n.
Ai po hetohet edhe nga autoritetet amerikane me dyshimet për pastrim parash dhe korrupsion.