BORXHET E SHUMTA – VETËVRITET BABAI I DY FËMIJËVE

Varfëria dhe borxhet e shumta kanë çuar drejt vetëflijimit një 40-vjeçar në fshatin Çipan në rrethin e Devollit. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës, në banesën e viktimës. Sipas policisë lokale, viktima i identifikuar Zarif Cici, babai i dy fëmijëve është gjetur i pajetë rreth orës 07:00 të mëngjesit nga familjarët e tij.

Policia tha se viktima është gjetur i vetëvarur me një litar në fyt nga bashkëshortja dhe fëmijët, në kasollen e bagëtive. Burime nga grupi hetimor në vendngjarje thanë se zanafilla e ngjarjes ishte një ditë më parë, kur viktima kishte diskutuar ashpër mbrëmjen e së premtes me bashkëshorten e tij, për borxhet e shumta që kishin dhe pamundësinë për të siguruar bukën e gojës për fëmijët. 40-vjeçari ishte njeri i rregullt, por varfëria ekstreme dhe borxhet e shumta për të siguruar bukën e përditshme për fëmijët e tij, nuk e lejonin atë të bënte një jetë normale. Sipas burimeve tona, pas debatit, i cili ishte rikthyer prej kohësh në një rutinë të përditshme në këtë familje, viktima është larguar për t’u kthyer në orët e para të mëngjesit dhe për të kryer aktin fatal, transmeton BW.

Sipas policisë, familjarët në momentin e ngjarjes nuk ndodheshin në banesë, pasi kishin çuar bagëtinë në kullotë dhe teksa kanë hyrë në ambientet e brendshme të banesës janë përballur me mungesën e kryefamiljarit dhe menjëherë kanë nisur kërkimet. Të alarmuar, menjëherë kanë njoftuar edhe policinë lokale, ndërsa janë përpjekur t’i japin viktimës edhe ndihmën e parë. Sipas dëshmive të fqinjëve, familja Cici jetonte në varfëri ekstreme dhe me borxhe të shumta. Referuar atyre viktima ishte i papunë dhe prej kohësh kishte nisur të grindej me bashkëshorten e tij, ndërsa ndihej i pafuqishëm për të përballuar jetesën. Sakaq, pas këqyrjes së kufomës është arritur në konkluzionin se nuk ka shenja dhune dhe se kemi të bëjmë me një vetëvrasje.kohaislame

Artikulli paraprakVarfëria nuk zbutet me letra!
Artikulli vijuesPËRLESHJE TË ARMATOSURA MES DY FAMILJEVE