Buja nuk e amniston as rektorin Gashi

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka nisur një hetim të pavarur në Universitetin e Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”. Ky hetim që jo “zhurmshëm” po bëhet nga Zyra e Inspeksionit, po përfshin të gjitha rastet e fundit në këtë universitet lidhur me keqpërdorimet, falsifikimet dhe shkeljet e statutit.
Ndonëse strukturat menaxhuese të UP-së e kanë informuar ditë më parë ministrin e Arsimit, Ramë Buja, me këto ngjarje dhe faktet që kanë, ky i fundit ka urdhëruar dhe formimin e një komisioni të Ministrisë në kuadër të departamentit të inspeksionit që të ballafaqohen raportet.

Edhe të premten në zyrat e ministrit Buja, ka qëndruar rektori Ibrahim Gashi dhe kryetari i Këshillit Drejtues të Universitetit. Komisioni i Ministrisë nuk po heton vetëm keqpërdorimet dhe shkeljet statutare në Fakultetin e Mjekësisë, por edhe të gjitha ankesat që sidomos dy ditëve të fundit i janë adresuar Ministrisë, e veçanërisht që kanë të bëjnë me ndërrimin e kritereve të konkursit për doktoratë.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, në një intervistë për “Zërin” ka thënë se në UP do t’iu ndërpritet rruga atyre që tentojnë të zbehin imazhin e këtij universiteti. Buja ka thënë se në UP kanë hyrë disa “mikrob” që, sipas tij, duhet të eliminohen njëherë e mirë dhe të mos lejohen të zgjerohen.

Prandaj, ai tha se ka vendosur të bëjë një hetim të pavarur që më pas të dal dhe me qëndrim rreth abuzimeve në UP. Ndonëse shprehet në mbështetje të menaxhmentit të Universitetit, ai ka theksuar se ky menaxhment pas marrjes së raport nëse ka përgjegjësi për ato që kanë ndodhur duhet ta njoh institucionin e dorëheqjes.

“Kam shprehur qëndrimin tim, ne jemi në mbështetje absolutisht të menaxhmentit të UP-së që të marrë të gjitha hapat. Jemi shumë të shqetësuar për këtë gjë që ka ndodhur në Universitetin më prestigjioz të Kosovës dhe të gëzuar njëkohësisht që po fillon njëherë e mirë zhbërja e kësaj loje të keqe që ka ndodhur në këtë universitet kaherë dhe jo vetëm tash. Kështu që Ministria e Arsimit do të veprojë konform Ligjit të Arsimit të Lartë duke qenë e kujdesshme për të mos futur duart në ato pjesë dhe ato sfera ku nuk e ka vendin”, ka thënë Buja. /Zëri/

Artikulli paraprakSiri: Së paku 25 të vrarë në Alepo
Artikulli vijuesVucic: Jo shqiptarët, por vet shteti serb i vrau serbët