Do të ishte në të mirë të seriozitetit të kërkimit të njëmendtë të debatit që soji i artikullshkruesve sherrxhinj ta kishte nisur së pari monologun e zakonshëm tashmë me një urim për festën e muslimanëve. Urimi për Fitër Bajramin do ta kishte bërë më bindës dëshirën për debat, pasi do të shprehte në krye të herës një respekt sado minimal për palën tjetër. Kjo nuk ka ndodhur, e as pritet të ngjasë, sepse nuk kemi të bëjmë vërtet me debatkërkues, por me polemikënxitës.
Ngjan të mos jenë hapur të parat që në mëngjesin e ditës së bajramit ca kafene e dyqane, por diçka tjetër: histeria e vijueshme antiislame, e verbuar prej respektimit masiv të Ramazanit dhe e festimit po masiv të Bajramit! Nuk ka si shpjegohet ndryshe kjo dallgë e papritur fshikullimi ndaj muslimanëve.
Po kështu nuk mund të lihet pa vënë në dukje se emërtimi “muslimanë Facebook-u” nuk është aq i padjallëzuar. Eshtë përdorur qëllimisht, si një togfjalësh me ngjyrim negativ, nënvlerësues, përçmues. “Muslimanët e Facebook-ut” shohin nga poshtë, akademikët e kolumnistët vështrojnë nga lart! Që këtu nuk ka vend për debat. Naiviteti dhe dashamirësia në dukje e qasjes për debat nuk është aspak e tillë. Në të kundërt, është një zgjedhje e hollë prej firauni, që e shkel me këmbë që në nisje muslimanin, qoftë dhe të Facebook-ut.
Ankohet Kraja, mes të tjerash, për ideologjizim të fesë. Dhe menjëherë më pas i pyet muslimanët e Facebook-ut se ç’do të bëjnë me Kosovën, do ta çojnë atë në Lindje apo në Perëndim?
E pra, pyetja nuk është për debat. E para, sepse jo pa qëllim e ndan si me thikë të “keqen” nga e “mira”, duke kërkuar t’i fusë në grackë muslimanët e Facebook-ut. Në do ta çojnë nga Lindja, i bie ta çojnë drejt së “keqes”, e në të kundërt, Perëndimi është porta drejt së “mirës”.
I nderuar akademik, në nuk është dhe ky ideologjizim, ç’mund të jetë tjetër? Sa herë e kanë dëgjuar shqiptarët, muslimanë a jomuslimanë, në dekada të njëjtën pyetje. A nuk bëhej e njëjta pyetje dhe vite të shkuara, nën dritën e socializmit, me nocionet e së mirës dhe së keqes në kahe të kundërta?
Kjo pyetje nuk i vlen debatit; më mirë mos e pretendo këtë debat. Sepse pyetja kërkon të stigmatizojë, të damkosë një pjesë të popullsisë. Si Lindja dhe Perëndimi kanë të mirat dhe të këqijat e tyre; nuk është turp të zgjedhësh më të mirën prej tyre. Fare mirë mund të krenohesh për një cilësi të lindorëve, ashtu siç fare mirë mund t’i kesh zili perëndimorët për plot gjëra të mira që kanë. Djalli nuk gjendet veç në njërën anë, e po kështu dhe engjëlli. Pastaj, a nuk pretendon të jeni ju shumica? Nëse është kështu, ju e keni barrën e çuarjes së Kosovës drejt një caku.
Sugjeron Kraja se njerëzia i mbyll dyqanet në Prishtinë kur vjen iftari nga frika dhe terrorizimi. Nga u nxor ky konkluzion, për ç’frikë bëhet fjalë, për ç’terrorizim bëhet fjalë? Ta mendosh diçka si të vërtetë, nuk do të thotë se ajo është e tillë. Cili u terrorizua, nga kush? Ama, nëse në një muaj Ramazani, personi që nuk agjëron e mbyll dyqanin a diçka tjetër në orën e iftarit nga respekti për fqinjin e tij musliman, kjo është e dëshiruar, e pëlqyer, diçka që i bën nder vetë atij. Ashtu siç muslimani duhet t’i respektojë sentimentet e fqinjit, edhe pse nuk i përket të njëjtit besim.
Damkosja me të keqen, vënia e epiteteve dukshëm me qëllim fyes, “muslimanë Facebook-u”, nuk është ftesë për debat; është ftesë për stimulim të panevojshëm të ndezjes së gjakrave, të vënies në dy anë të kundërta të pjesëve të së njëjtës popullatë.
Çdo qytetar, në Kosovë, Shqipëri a Maqedoni, do duhet të japë llogari para ligjit nëse shkel rendin kushtetues, nëse sillet në kundërshtim me ligjet e vendit, nëse e cenon hapur sigurinë e vendit, por nuk mund të bëhet përgjegjës për ato që i thotë hapur ai i nënkupton Kraja.
Do pyetje për debat? Do debat? Nëse do vërtet kështu, ja për çfarë mund të bisedohet.
Si është e mundur që herë pas here, në Kosovë a Shqipëri, ka fushata mediatike denigruese ndaj muslimanëve, e asnjëherë nuk ngjet e kundërta?
Si është e mundur që shkrues të ndryshëm nuk reshtin së provokuari muslimanët? “Si i keqpërdori dhe si u tall Hitleri me myslimanët,” shkruan Enver Robelli, që me gjasa duhet të jetë pjesë e shumicës së pretenduar nga Kraja. Edhe nëse fakti ka baza, a nuk mund të përdoret një gjuhë më e sofistikuar, por zgjidhet një titull kryekëput fyes, saktësisht gjatë Ramazanit?
Si është e mundur që një tjetër shkrues, që e përsërit të njëjtin provokim kohë pas kohe me fyerje të pastra, na e çon Kur’anin për kallëzim penal e askush nuk bën zë? Ku je ti, Kraja, që na shqetësohesh për muslimanët e Facebook-ut e nuk e ngre zërin për këta kopukë që duan veç të ndezin zjarre? Ku është shteti që duhet t’i plasë brenda këta njerëz për nxitje të urrejtjes dhe dhunës?
Si është e mundur që asnjëherë nuk anatemohen të krishterët, a krejt të tjerët jomuslimanë, e muslimanët shihen në vrimë të gjilpërës?
Si është e mundur që komentet në faqet elektronike nxijnë nga sharjet më të pista për muslimanët në ditë Bajrami a ndryshe, e askush nuk flet për to? Si është e mundur që shteti e lejon diçka të tillë? Pse në ditë festash për të krishterët, por edhe në ditë të zakonshme, nuk ndesh diçka të ngjashme, nuk gjen fyerje të tilla nga muslimanët?
Si është e mundur që një ndër fjalimet më të shkëlqyera në parlamentin e turpshëm të Shqipërisë, ai i Mesila Dodës, ku u bëhet thirrje deputetëve të mos e votojnë ndryshimin kushtetues që i hap shtegun ligjërimit të martesave mes njerëzve të së njëjtës gjini, u shpërfill nga shumica e medias shqiptare, për të mos u përmendur fare në një pjesë të tyre?
Si është e mundur që në Shqipërinë me mijëra halle vihet në plan të parë një debat krejtësisht i sajuar mbi LGBT-të?
Si mund të kalohen në heshtje provokimet e turpshme të Enver Robellit, që pasi mbaron punë me hoxhallarët në Kosovë, nis të na bëjë politikë të madhe e na e quan rrugaç kryetarin e një shteti mik, apo më tepër se mik?
Si mund të mbyllet goja para konkluzionit të këtij provokuesi se shamia ia paska kufizuar zhvillimin mendor gruas së atij kryetari shteti (Erdoganit)?
Ja për këto mund të debatohet, e ashtu shtruar, pa fyerje… Por nëse kërkon debat, e njëkohësisht nisesh nga paragjykime, nga përfundime pickuese, nga dëshira për të njollosur, mos shpreso të jesh i mirëpritur.
Për ta mbyllur, ja një shembull për çfarë nuk mund të debatohet. Ngacmimi nis sërish nga Robelli, që nuk e di për ç’arsye sjell në vëmendje e në diskutim mbulimin e femrës. Këtu nuk ka vend për debat. Të rihysh në këtë debat do të thotë të biesh në grackën e ftuesit, për të mos dalë më që aty. Po, mund të debatosh për lakuriqësinë aq të dukshme në këto ditë vere. Ajo i prish punë moralit!
“E pamundshme të bëhet debat me ata që gëzohen që Londra u bë me kryetar musliman dhe që heshtin ose nuk u bën përshtypje kur fanatikët islamikë dëbojnë pakicën e jezidëve nga Iraku,” thotë Robelli. Sigurisht, dëbimi i jezidëve është i papranueshëm, ashtu siç është i papranueshëm dhe dëbimi i turkmenëve nga vendbanimet e tyre në Siri, për të cilin gjithashtu heshtet.
Një pyetje mund të bëhet: A është i mundshëm debati me ata që fërkojnë duart kur në Ankara e Stamboll vriten njerëz nga aktet terroriste e të nesërmen organizatat përgjegjëse kurde për këto krime ngrejnë çadrat e bëjnë propagandë mu përpara institucioneve të Brukselit?
“Njeriu s’mund të shkojë në parajsë i lidhur me zinxhirë,” pohon po Robelli.
Një gjë mund të pohohet me bindje, Robell, se njeriu i cili nuk i njeh vetes asnjë zinxhir kufizues nuk mund t’i qaset xhennetit. /tesheshi.com/