Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës me temën ”Promovimi i Reformave në Paraburgim”, ka shprehur shqetësim të madh me sistemin e burgjeve dhe mbipopullimin e burgjeve në Kosovë.
Sipas drejtoreshës së QKRMT-së Feride Rushiti, mbipopullimi paraqet një shqetësim dhe poshtërim, pasi që sipas saj shteti i Kosovës duhet të mendoj më shumë për varfërinë, për shkollat, çerdhet dhe jo paraburgimet.
Ajo tha se nuk ka një kategorizim të të burgosurve dhe të paraburgosurve, dhe se gjithashtu kostoja e të paraburgosurve është me e larta në rajon, e që kjo duhet të ndryshohet.
Ndërsa kryetari I Këshillit Gjyqësor, Enver Peci, tha se sipas konstatimeve të bëra duhet të behet një analizë e sistemit të paraburgimit.
Ai tha se duhet bërë përpjekje që të vetëdijesohet shoqëria dhe gjyqtarët të marrin më seriozisht rastet e shqiptuara për paraburgim.
Në Kosovë kemi 750-800 të paraburgosur dhe menaxheri i QKRMT Alban Muriqi tha se po ndërtohen shumë burgje dhe se gjyqësori po aplikon shumë masën e paraburgimit. /kp/