Në Kosovë komuniteti ndërkombëtar ka investuar gjashtë herë më shumë sesa në vendet e tjera të Ballkanit. Tentimi për të çuar përpara Kosovën është dukur goxha i madh, por gjërat shkuan keq.
“Tani si erdhi puna kësisoj kur krejt ato para të investuara nuk ndikuan për ta shtuar jetën tek njerëzit, për të pasur zhvillim ekonomik e demokraci të hapur?”, ka pyetur Andrea Lorenzo Capussela.
Autori i librit “Shtetndërtimi në Kosovë: demokracia, korrupsioni dhe BE-ja në Ballkan”, që është promovuar të enjten në Prishtinë, e ka ngritur këtë pyetje pasi ka shpjeguar se në raport me vendet e tjera ballkanike kosovarët jetojnë për pesë deri në gjashtë vjet me pak.
Autori i librit të përkthyer nga Flaka Surroi e të botuar nga Botimet KOHA ka thënë se një pjesë e mjeteve janë investuar në spitale, por jeta e njerëzve nuk është zgjatur. Përgjigjen e ka të prerë.
“Përgjigjja mendoj është se autoritetet ndërkombëtare këtu nuk vepruan sipas mandatit të tyre. Mandati ishte të ndërtoheshin institucione demokratike dhe implementimi i ligjit. Kishte tentime që të tregohej efekt i mirë për ndërhyrjen ushtarake në Kosovë dhe pavarësimin e saj. Shpresohej që efektet e mira do të binin në sy të kritikëve të këtyre dy veprimeve kontroverse. U mundua të tregohej se Kosova është një storie suksesi. Në fakt nuk është ashtu. Gjërat janë duke shkuar keq në Kosovë”, ka thënë Capussela.
Ai ka treguar se në librin e tij sqarohet se në Kosovë nuk u hetuan njerëzit e mëdhenj, ministrat, ndërmarrësit e të korruptuarit. Ka thënë se investimet u udhëhiqen keq, u shpenzuan keq dhe u vodhën. Ka thënë se në bazë të një raporti të auditimit të Bashkimit Evropian del se misioni i EULEX-it ka dështuar, dhe se gjyqtarët dhe prokurorët mendojnë se çfarë ka dëshirë elita të bëjë ata dhe e bëjnë vetë këtë pa e kërkuar elita fare.
“Gjërat shkuan ashtu, sepse një pjesë e njerëzve investoi keq dhe i vodhi mjetet e investimeve, ka thënë ai. Ka thënë se nëse Qeveria merr mjete për investim, ato nuk shpenzohen vetëm për t’u pasuruar për vete dhe për miqtë e të afërmit. Pos kësaj, ka theksuar se qeveritarët në raste të tilla, pos të tjerash, shtojnë edhe fuqinë e tyre. Autori i librit, që fut nën thjerrëz Kosovën nga viti 1999 deri më 2015, ka thënë se sa i përket zbatimit të ligjit Kosova ishte duke ecur përpara derisa u pavarësua.