Shtëpia Rajon Maqedoni Çështja e kryqit: BDI thotë se është punë e mbyllur, e paqartë...

Çështja e kryqit: BDI thotë se është punë e mbyllur, e paqartë si?

Bashkimi Demokratik për Integrim e konsideron si “çështje të mbyllur” punën e vendosjes së kryqit gjigand në komunën e Butelit. Asnjë informacion shtesë nuk japin nga kjo parti për strategjinë e tyre konkrete të stopimit të vendosjes së kryqit që kur BDI vendosi të ndërpret protestën nën arsyetimin se qëllimi u arrit.
Ende mbetet e paqartë për opinionin se çfarë qëllimi dhe si u arrit ky qëllim kur e dimë që edhe rrugët institucionale të cilat do ti lexoni më poshtë, e që janë ankesat në inspektoratet e ndryshme, kërkojnë përgjigje dhe vendime konkrete kundër ndërtimit të kryqit e jo vetëm ankesa në letër, raporton Portalb.

Nga kjo parti për Portalb, thonë se në mbledhjen e kryesisë Qendore të martën nuk është trajtuar kjo çështje duke mos precizuar se si është mbyllur e njëjta.

“Kemi diskutuar vetëm për çështjet e papërfunduara  dhe aktuale. Nuk është biseduar për çështjen e për të cilën ju pyetni”, janë përgjigjur për Portalb nga BDI.

Nga ana tjetër, Petre Llatinovski, kryetari i Komunës së Butelit në fjalimin e tij, në protestën së mërkurës para MPB-së, ka theksuar se vendimi për anulimin e kryqit nuk është marrë dhe se as ai si kryetar komune e as askush tjetër nuk ka të drejtë këtë ta bëjë. Në pyetjen gazetareske pse ky insistim për kryq, ai tha se komuna e tij nuk do të harxhojë asnjë denarë për këtë kryq.

“Është iniciativë e Kongresit botëror maqedonas. Ne nëpërmes projekteve kemi dëshmuar se komuna Butel është vend i denjë për të jetuar”, tha Llatinovski.

Saliu: Për kryqin u vendos pa na pyetur, na mbivotuan!

Rrugët institucionale të BDI-së

Ne nuk jemi konsultuar për vendosjen e kryqit ata e kanë bërë këtë në mënyrë tinëzake edhe pse është thyer rregullorja, ligji dhe procedura në Këshill, është shprehur në deklaratën e tij kryetari i Këshillit për marrëdhënie ndëretnike pranë Komunës së Butelit, Naim Saliu, i cili është edhe këshilltar nga radhët e BDI-së në Butel.

“Është vendosur si kërkesë shtesë- pikë shtesë e rendit të ditës, si pikë urbane. Kur ka filluar diskutimi rreth asaj pike atëherë kryesuesi i Këshillit ka thënë se bëhet fjalë për një donacion prej Kongresit Maqedonas në mërgatë për tu ndërtuar një kryq. Unë aty si këshilltar menjëherë kam reaguar dhe kam kërkuar që kjo pikë të largohet nga rendi ditës. Me qëllim që të diskutohet edhe në komisione, të shohim se çfarë përmban ndërtimi, çfarë elemente, që pastaj edhe ne si këshilltarë ta japim mendimin. Nuk na kanë përfillur dhe na kanë mbivotuar”, ka sqaruar për Portalb Saliu.

Saliu për redaksinë tonë ka treguar edhe rrugën institucionale për ta ndaluar ndërtimin e kryqit.

“Ne si parti kemi formuar një Komision, kryesues i Komisionit është Izet Mexhiti. Ne kemi dërguar ankesa në Inspektoratin për ndërtim të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, te Inspektorati shtetëror për urbanizëm dhe ndërtimtari, te Inspektorati i Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe në vet Ministrinë, te Ispektorari i Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratës, në Gjykatën Administrative si dhe te Këshilli i Inspektorateve”, tha Saliu.

Sipas tij, janë duke pritur përgjigje për këto ankesa. Nenet që kundërshtojnë kryqin janë të shumta duke nisur nga Ligji për ndërtim, Neni 2, paragrafi 4, Neni 81, paragrafi 1;  Rregullorja për përcaktimin e standardeve dhe vendosjen e objekteve të përkohshme dhe pajisjes urbane për territorin e qytetit të Shkupit, neni 15, paragrafi 3, neni 6; Ligji për vetëqeverisje lokale, neni 41, paragrafi 3.

Nga ana tjetër, kjo çështje nuk është diskutuar në Komitetin parlamentar për marrëdhënie ndëretnike si temë e cila me detyrim ligjor i takon të diskutohet ndërkaq Komisioni për marrëdhënie mes bashkësive fetare ditë më parë në emër të kryetares së saj dërgoi një kumtesë që thirrej në uljen e tensioneve.

 

Artikulli paraprakKanë 17 fëmijë, shpesh ua ngatërrojnë emrat, ndërsa në ditë blejnë 50 bukë! (FOTO)
Artikulli vijuesEksodi sirian i Shqipërisë: Skenar i ngjashëm me atë të 25 viteve më parë