Çfarë do të ndodhë me çmimin e naftës?

Parashikimi mbi ecurinë e çmimit të naftës është i qartë: ai do të vazhdojë që të bjerë më tej. Përveçse nëse ndodh e kundërta, pra që çmimi të rritet. Përfundimisht do të ndodhë njëra ose tjetra. Nafta bruto e pati fitimin më të madh 2-javor në 17 vitet e fundit, por është ende gati 50 përqind më e lirë se në qershorin e vitit të shkuar.

Situata është e paqëndrueshme dhe parashikimet në të gjithë botën luhaten nga 30 dollarë për një fuçi, e parashikuar kjo nga presidenti i “Goldman Sachs” dhe deri në çmimin tejet të lartë prej 200 dollarësh për fuçi nga ana e vetë kreut të OPEK-ut. Pra, çfarë do të ndodhë më tutje? Këtu po paraqesim disa prej parashikimeve që ekspertët kanë bërë dy javët e fundit.

“Çmimi i naftës mund të bjerë deri në 30 dollarë për fuçi, pasi tepricat e furnizimit nuk do të zhduken brenda natës” – tha analisti i “Barclays” Misvin Mahesh. Nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i OPEK-ut Abel-El Badri, paralajmëron se çmimi ka mundësi të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi dhe kjo si pasojë e mungesës së investimeve për furnizimet e reja. “Nëse nuk investojmë në naftë dhe gaz, ju me siguri do të shihni se çmimi do të shkojë edhe më shumë se 200 dollarë për fuçi”- nënvizoi ai, pa dhënë megjithatë nje periudhë konkrete se kur kjo mund të ndodhë.

Shumë shpejt, nafta argjilore do të jetë e nevojshme, për të mundësuar reduktimin e prodhimit botëror, duke rritur çmimin e naftës amerikane deri në 65 dollarë për fuçi, shkroi së fundmi në një artikull në Bloomberg, kreu i “Astenbeck Capital Management”. Në një sondazh të organizuar nga agjensia jonë me analistë të tregut dhe sipërmarrës në këtë sektor, 12 nga 32 të anketuarit parashikuan se çmimi i natës në të ardhmen do të vazhdojë që të bjerë duke filluar nga 13 shkurti, ndërsa vetëm 10 prej tyre parashikuan rritjen e tij.

“Ne mendojmë se ende nuk kemi prekur fundin”-tha Xhovani Staunovo, analisti i bankës zvicerane UBS në Zyrih. “Ne po krijojmë një fund”- shprehet ndërkohë tha Bill O’Gradi, shefi i strategjive të tregut në “Confluence Investment Management” në Sent-Ljuis në SHBA, që mbikëqyr një volum prej 2.4 miliardë dollarësh. “Në një periudhë afatgjatë, ndoshta 60 dollarë për fuçi do të jetë një çmim reference”- shton ai. Ndërkaq presidenti i Goldman Sachs, Geri Kun thotë se çmimi i naftës ndoshta do të vazhdojë të bjerë dhe mund të arrijë nivelin e 30 dollarëve për një fuçi. “Në një perspektivë afatgjatë, ndoshta do të kemi këtë lloj çmimi’-thotë Kun, që dikur ka qenë vetë një tregtar nafte.

“Furnizimi dhe kërkesa themelore më kujton paksa vitin 1986, ku për një kohë të gjatë përjetuam çmimin më të ulët të naftës”- thotë drejtori i përgjithshëm i “British Petroleum” Bob Dadli. Sipas tij, çmimi mund të qëndrojë nën 60 dollarë për fuçi për 3 vitet e ardhshme. “Do të kalojë shumë kohë para se në të shohim sërish një çmim prej 100 dollarësh për fuçi”- vlerësoi Dadli.

“Naftë mund të bjerë në 30 dollarë për fuçi”- deklaron Fumija Kokubu, kreu i “Marubeni Corp” në Tokio. Ai thotë se nuk sheh ndonjë ndryshim të madh të këtij çmimi në 2 apo 3 vitet e ardhshme. Çfarë duhet të mendojë një investitor ? Këtë vit, çmimi mesatar ka mundësi të jetë diku mes 35-80 dollarëve për fuçi sipas një studimi të vetë “Bloomberg”, duke marrë parasysh parashikimet e 86 specialistëve të investimeve. Kjo përbën një luhatje goxha të madhe.

Po cili do të jetë çmimi mesatar i naftës bruto për 2015-ën? Për të qenë të ndershëm, disa nga parashikimet e mësipërme nuk janë reciprokisht ekskluzive. Disa analistë mendojnë se çmimet mund të bjenë më tej dhe pastaj ngrihen në qiell, kur prodhimi të ketë rënë ndjeshëm ose ndaj një reagimi në lidhje me kërkesën globale, ku spikat Kina. Por koha e një kthese të qëndrueshme tek çmimi i naftës është në rastin më të mirë e vrazhdë. E vetmja gjë e sigurt është se ka shumë pasiguri./Bloomberg/kohaislame

Artikulli paraprakKosova dhe Serbia arrijnë marrëveshjen për Drejtësinë
Artikulli vijuesPutin në Egjipt, takon Al-Sisin