Shumë gjëra që lexoni në internet, sidomos në mediat elektronike, mund të duken të vërteta, por në fakt shpesh nuk janë. Lajm i rremë (fake news) është lajmi, historia apo mashtrimi i stisur qëllimisht për keqinformimin ose mashtrimin e lexuesve.
Zakonisht, këto tregime krijohen për të ndikuar pikëpamjet e njerëzve, për të nxitur një axhendë politike, ose për të krijuar konfuzion, dhe shpesh mund të jetë një biznes fitimprurës për botuesit online. Historitë e lajmeve të rreme, mund të mashtrojnë njerëzit që i shohin si faqe të besuara, apo që përdorin emra dhe adresa të ngjashme me organizatat serioze mediatike.
Sipas Martina Çapman (eksperte e edukimit mediatik), ekzistojnë 3 elementë për lajmet false:mosbesimi, keqinformimi dhe manipulimi.
Ngritja e lajmit të rremë
Edhe pse lajmi i rremë nuk është një fenomen i ri, ai u vu në qëndër të vëmendjes në vitin 2017. Radicionalisht ne marrim lajmet tona nga burime të besueshme, gazetarë dhe media që ndjekin kodet strikte të profesionit. Megjithatë, interneti ka mundësuar një mënyrë krejtësisht të re për të botuar, ndarë dhe konsumuar informacione dhe lajme, me shumë pak rregullore apo standarde editoriale.
Shumë njerëz, i marrin tani lajmet nga faqet dhe rrjetet e mediave sociale. Dhe shpesh mund të jetë e vështirë të thuhet, nëse historitë janë të besueshme apo jo. Mbingarkesa e informacionit, dhe mungesa e përgjithshme e të kuptuarit se si vepron interneti nga ana e njerëzve, ka kontribuar gjithashtu në rritjen e lajmit të rremë apo të tregimeve të gënjeshtërta. Faqet e mediave sociale, mund të luajnë një rol të madh në rritjen e arritjes së këtyre lloj tregimeve.
Llojet e lajmeve të rreme
Ekzistojnë mendime të ndryshme, kur është fjala për identifikimin e llojeve të lajmeve të rreme. Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për vlerësimin e përmbajtjes online, ka lloje të ndryshme të lajmeve të rreme ose mashtruese. Këtu përfshihen:
Lajmet “clickbait”
Këto janë tregime, që fabrikohen qëllimisht për të fituar më shumë vizitorë në një faqe, dhe
për të rritur të ardhurat nga reklamat. Tregimet “clickbait”, përdorin tituj sensacionalë për të tërhequr vëmendjen, dhe bashkë me të klikimet në faqen e internetit të botuesit. Kjo ndodh normalisht në kurriz të së vërtetës ose saktësisë.
Lajmet propagandistike
Tregime që krijohen për të mashtruar publikun, dhe që nxisin një pikëpamje të bazuar tek paragjykimet, ose tek një axhendë e veçantë politike.
Lajmet satirike
Shumë nga faqet e internetit dhe llogaritë e mediave sociale, publikojnë rrëfime të rreme për argëtim dhe për të satirizuar.
Gazetari dembele
Ndonjëherë gazetarët mund të publikojnë një histori nga burime të pasigurta, ose pa kontrolluar të gjitha faktet, që mund të mashtrojnë audiencën.
Titujt mashtrues
Historitë që nuk janë krejtësisht të rreme, mund të shtrembërohen duke përdorur tituj mashtrues ose sensacionalë. Këto lloj lajmesh, mund të përhapen shpejt në faqet e mediave sociale, ku vetëm titujt dhe copëza të vogla të artikullit shfaqen në neësfeed-in e audiencës.
Lajmi i njëanshëm/me paragjykime
Shumë njerëz tërhiqen nga lajmet apo tregimet, që konfirmojnë bindjet ose paragjykimet e tyre. Dhe lajmi i rremë mund ti përdorë këto paragjykime. Furnitorët me lajme në mediat sociale, kanë prirjen të shfaqin lajme dhe artikuj, që ata mendojnë se do të pëlqehen, bazuar në kërkimet tona të personalizuara.
Po çfarë mund të bëjmë për të shmangur lajmet e rreme?
Google dhe Facebook, kanë njoftuar marrjen e masave të reja për të trajtuar lajmet e rreme me futjen e mjeteve të raportimit dhe sinjalizimit. Mediat të njohura si BBC, kanë krijuar gjithashtu faqet e kontrollit të fakteve. Ndërsa këto janë zhvillime të mirëpritura, edukimi mbi median dixhitale dhe zhvillimi i aftësive për të vlerësuar në mënyrë kritike informacionin, janë aftësi thelbësore për cilindo që lundron në internet, dhe sidomos për të rinjtë.
Sasia e madhe e informacionit në internet, dhe rritja e numrit të lajmeve të rreme, nxjerr në pah nevojën për të menduar kritik. Fëmijët, duhet të zhvillojnë të menduarit kritik, që nga mosha e hershme. Kjo është një aftësi kyçe, që të rinjtë duhet ta zhvillohen kur hyjnë në arsimin e nivelit të tretë, dhe përgatiten për tregun e punës.
Si t’i dallojmë lajmet e rreme?
Ekzistojnë një sërë hapash që mund të ndëmerren për vlerësimin e përmbajtjes në internet.
Shihni më nga afër
Kontrolloni burimin e historisë:A e njihni faqen e internetit? A është ai një burim i besueshëm? Nëse nuk jeni të panjohur me këtë faqe, kërkoni dhe gjeni më shumë informacion rreth autorit.
Shihni përtej titullit
Kontrollojeni gjithë artikullin. Shumë histori të lajmeve të rreme, përdorin tituj sensacionalë ose tronditës vetëm për të tërhequr vëmendjen.
Kontrolloni burimet e tjera
A po e raportojnë këtë histori mediat e tjera të njohura? A citohen burime në këtë histori? Nëse po, kontrolloni nëse janë të besueshme apo nëse ekzistojnë vërtet.
Kontrolloni faktet
Tregimet e lajmeve të rreme, përmbajnë shpesh data të pasakta apo afate kohore të ndryshuara.
Vlen gjithashtu të kontrolloni kohën kur është publikuar artikulli:a është i tanishëm, apo një lajm i vjetër?
Kontrolloni paragjykimet tuaja
A ndikojnë pikëpamjet apo bindjet tuaja në gjykimin mbi një raportim mediatik?
A është kjo një shaka?
Sajtet satirike janë shumë popullore në internet, dhe nganjëherë nuk është gjithmonë e qartë nëse një tregim është thjesht një shaka apo parodi … Kontrolloni faqen e internetit, a është ajo e njohur për satirën, apo për krijimin e tregimeve qesharake?