Charlie Hedbo, myslimanët dhe liria e medias

Sot është në modë që flasësh apo të shkruash për Islamin dhe Profetin e myslimanëve, dhe shpesh liria për të folur mbi këtë temë i kalon kufijtë e marrëzisë me fyerje dhe shpifje. Kjo liri nuk ekziston në këtë masë për shumë tema të tjera, gjë që tregon dopiostandardin e vlerave që promovohen.

 

Liria dhe etika                                                    

 

Megjithatë, Sulmi i fundit që ndodhi në zemër të Europës tronditi tërë opinionin ndërkombëtar. Akti terrorist ishte një vepër shumë e shëmtuar dhe ai u dënua masivisht, përfshirë këtu edhe myslimanët nëpër botë. Liria e fjalës është një e drejtë themelore e çdo individi, i cili mund ta shprehë nëpërmjet formave të ndryshme. Por le të analizojmë lirën e fjalës në optikën e etikës, ku po shkon civilizimi i sotëm? Cilat janë sfidat e së ardhmes nëse nuk ndryshojmë kah?

 

Sot media po i kushton më shumë rëndësi titujve dhe joshjes së publikut. Normat, vlerat dhe standartet e cilësisë janë në plan të dytë për shumë media. Kjo bën që ato të prodhojnë te publiku produkte jashtë standartit, që nuk i shërbejnë krijimit të një klime të shëndoshë për shoqërinë. Franca ishte ajo që promovoi të drejtat themelore të njeriut përmes Deklaratës së Revolucionit Francez, por fatkeqësisht mediat sot janë shndërruar në shërbyes të politikës duke humbur objektivat ndaj interesit të publikut. Liri do të thotë përgjegjësi e cila në fakt është keqkuptuar e që po përdoret për të ofenduar dhe poshtëruar. Por çfarë mund të presësh nga shndërrimi i lirisë në të drejtë për të provokuar e fyer?!

 

Islami dhe tolerance

 

Akti terrorist në zemër të Europës u dënua në mbarë botën nga opinioni ndërkombëtar. Ekstremsitet myslimanë nuk mund të përfaqësojnë Islamin, pasi Islami është fe, ndërsa terrorizmi nuk ka lidhje me asnjë fe. Sipas një kleriku mysliman “një terrorist nuk mund të jetë mysliman dhe një mysliman nuk mund të jetë terrorist”. Metodologjia e Islamit për ndryshim nuk është lufta, Islami i kushton një rëndësi tepër të madhe dialogut intelektual dhe diplomatik. Nga historitë e Kuranit mësojmë se Profetët e dërguar nga Perëndia janë tallur dhe poshtëruar në mënyra ç’njerëzore, por ata janë treguar shumë humanë ndaj popujve të tyre. Islami e armatos besimtarin me arsye dhe ai ka si armë për ndryshim intelektin e jo dhunën.

 

Gjithashtu nga historia Islame mësojme se kur Profeti u shpërngul për në qytetin e Medines, ku do të themelonte shtetin Islam, nuk i dënoi kundërshtarët, megjithëse ata e luftuan me armë. Ai i fali ata duke i qëndruar pranë kombit të tij. Për këto arsye asnjë akt terrorist nuk mund të pretendojë se motivohet nga Islami, dhe po ashtu Islami nuk mund të bëhet përgjegjës për veprime kriminale si ato në Paris e kudo.

 

 

Dritan BALLA
Student i Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Institutit të Studimeve Europiane.

 

Artikulli paraprakFëmija terrorist!
Artikulli vijuesFreedom House: Retortika islamofobike ishte shqetësim për vitin 2014