Cilat janë qëndrimet e Tadiqit dhe Nikoliqit për Kosovën?

Midis kandidatëve Boris Tadiq dhe Tomisllav Nikoliq nuk ka dallime të mëdha në qëndrimet ndaj Kosovës. Por ka dhe disa “detaje” shumë të rëndësishme që mund të ndikojnë politikën e presidentit të ardhshëm.

Qëndrimet e kandidatëve për president të Serbisë, kandidatit të listës së Partisë Demokratike Boris Tadiq dhe Partisë Përparimtare të Serbisë Tomisllav Nikoliq, nuk dallojnë shumë – të paktën sa i përket Kosovës. Këtë ata të dy e dëshmuan edhe në paraqitjen e fundit televizive para votimit të balotazhit, i cili zhvillohet të dielën (20.05). Por analistët thonë se ka “disa nuanca të rëndësishme në qëndrimet e tyre lidhur me mënyrën se si duhen zgjidhur problemet në raportet me shqiptarët”. Këto dallime kushtëzohen edhe nga koalicionet e ardhshme, thonë analistët në Beograd.

Nuk do të heqim dorë kurrë nga Kosova!

Ndonëse çështja e Kosovës nuk ishte ndër temat kryesore të fushatës elektorale për zgjedhjet presidenciale, paralamentare dhe lokale, kandidatët në prag të balotazhit edhe një herë theksuan se “kurrrë nuk do të heqin dorë nga Kosova, si pjesë e pandashme e territorit të Serbisë”.

Boris Tadiq pohon se në asnjë mënyrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të heqë dorë nga politika e tij “Evropa dhe Kosova”, ndonëse shumë analistë në Beograd janë të mendimit se kjo politikë ka dështuar. Sipas tyre, më së largu para fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia duhet të përcaktohet qartë ndaj Kosovës dhe ardhmërisë së saj.

Tadiqi do të ketë edhe presione të fuqishme brenda koalicionit të ardhshëm qeveritar, lidhur me politikën ndaj Kosovës dhe shteteve fqinje. Tani më është e qartë se ai do të futet në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë të Ivica Daçiqit. Por vetëm mandatet e tyre nuk mjaftojnë për krijimin e koalicionin qeveritar (ato së bashku kanë më pak se 126 deputetë sa janë të domosdoshme për krijimin e koalicionit). Ndaj duhet të kërkojnë edhe një partner tjetër: Rajonet e Bashkuara të Serbisë (të Mllagjan Dinkiqit) apo subjektet e mbledhura në koalicionin “Promene” (“Ndryshimet” – të udhëhequr nga Çedomir Jovanoviqi). Pasi që Tadiqi dhe Dinkiqi kanë pasur probleme serioze gjatë manddatit të kaluar, analistët pohojnë se mundësia e vetme për koalicion mbetet Çedomir Jovanoviqi. Por Tadiqi dhe Jovanoviqi kanë qëndrime diametralisht të kundërta ndaj Kosovës dhe Republikës Srpska.

Kosova e pavarur dhe “krijesa gjenocidale”

Lideri i liberalëve, Jovanoviq, ka bërë të ditur edhe gjatë kësaj fushate se Kosova duhet të njihet si shtet i pavarur, se duhet ndjekur me vendosmëri rruga e integrimeve evropiane dhe se Republika Srpska është një “krijesë e themeluar mbi gjenocid”. Jovanoviqi është i gatshëm për koalicion me Tadiqin dhe Daçiqin (ndonëse që nga vitet 90-të, në kohën e protestave të studentëve, ishte një prej kundërshtarëve më të denjë të Partisë Socialiste dhe Sllobodan Millosheviqit). Tadiqi pohon se mund të futet në koalicion vetëm me partitë që pranojnë programin e tij “Evropa dhe Kosova”. Ndërkohë që Ivica Daçiq thotë se nuk do të pranojë që detyrat kryesore në qeverinë e ardhshme t’i ushtrojnë ata të cilët angazhohen për pavarësinë e Kosovës dhe e quajnë Republikën Srpska “gjenocidale” (pra Jovanoviqi i cili, siç merret vesh, ka shprehur interes për postin e ministrit të Jashtëm të Serbisë). Megjithatë analistët në Beograd edhe më tej janë të bindur se Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe koalicioni i Jovanoviqit do të përbëjnë qeverinë e ardhshme. Tadiqi llogarit me votat e këtyre forcave në balotazh kundër Nikoliqit

Shanset e Nikoliqit

Por pa shanse për fitore nuk është as Tomisllav Nikoliqi, i cili po ashtu pohon se “Kosova është Serbi, se kështu do të jetë gjithmonë dhe se kurrë nuk do të heqë dorë nga Kosova”. Nikoliqi ka bërë disa ndryshime serioze në qëndrimet politike prej ndarjes, para tre vitesh, nga Partia Radikale e Vojisllav Sheshelit. Por profili i tij politik lidhet ngushtë me këtë parti ekstreme nacionaliste.

Në duelin e fundit televiziv, kandidati i demokratëve Boris Tadiq rikujtoi Nikoliqin se “ai së bashku me Sllobodan Millosheviqin dhe Sheshelin e kanë humbur Kosovën në vitin 1999”. “Ju jeni angazhuar për politikë
n e dëbimit të të gjithë shqiptarëve nga Kosova përtej Bjeshkëve të Nemura dhe në këtë mënyrë keni humbur Kosovën”, deklaroi Tadiq.

Në kohën e luftës së Kosovës, në vitet 1998 – 1999 Nikoliqi ishte zëvendëskryeministër i Serbisë dhe Jugosllavisë. Me politikë ka filluar të merret seriozisht në fillim të viteve 90-të në Partinë Radikale në Kragujevc. Në vitin 1991 ai së bashku me Sheshelin dhe lëvizjen e tij çetnike kanë krijuar Partinë Radikale Serbe, ku Nikoliqi ishte nënkryetar deri në largimin nga kjo parti. Ai ka dhe titullin e “vojvodës çetnik”, të cilin ia ka dhënë vetë “kumbara i tij”, Vojisllav Sheshel.

Nikoliqi dhe Partia e tij Përparimtare Serbe kanë fituar më së shumti mandate në zgjedhjet e kaluara parlamentare. Ai ka madje dhe mundësi reale për krijimin e koalicionit qeveritar, por potenciali i tij për koalicion lidhet kryesisht vetëm me partitë nacionaliste. E vetmja mundësi e tij për ardhjen në pushtet është koalicioni me Partinë Demokratike të Serbisë, të Vojisllav Koshtunicës dhe socialistët e Daçiqit. Por lideri socialist ka deklaruar se do të vazhdojë bashkëpunimin politik me Tadiqi, ndaj edhe shanset e Nikoliqit për ardhjen në pushtet janë më të vogla.

Artikulli paraprakFormat i dialogut Kosovë – Serbi do të ndryshojë
Artikulli vijuesPolicia maqedone ndaloi rreth 30 shtetas shqiptarë