Çka i dhuroi Patriarku ortodoks i Jerusalemit, Edi Ramës? (Foto)

Gjatë vizitës së fundit të kryeministrit shqiptar Edi Rama në Izrael, ndër të tjera ai u takua edhe me Patriarkun ortodoks të Jerusalemit.

Në lajmin e publikuar në uebfaqen zyrtare të Patriarkanës shkruan se kryeministrit shqiptar iu dhurua Traktati i Omer ibn Hatab, Kalifit të dytë të myslimanëve, përmes të cilit ishin garantuar liritë dhe të drejtat e komunitetit të krishterë pasi Jerusalemi ishte bërë pjesë e Kalifatit Islam.

Vlen të përmendet standardi i lartë dhe respekti që ky Kalif kishte treguar karshi komunitetit të krishterë, objekteve të tyre fetare dhe kryqit si simbol fetar, shkruan “Të tjerët për islamin”.

Përmbajtjen e letrës, të përkthyer nga “Të tjerët për islamin” mund ta gjeni më poshtë:

Kjo është përmbajtja e letrës së prijësit të myslimanëve – Omerit, që i dhuroi Patriarku ortodoks i Jerusalemit – Theophilos III kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Teksti i traktatit të Omerit:

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Kjo është marrëveshje me të cilën robi i Zotit, Omer Ibnul Hatabi, prijësi i besimtarëve u garanton banorëve të Kudsit (Jerusalemit):

“U jep atyre siguri për veten, pasurinë, kishat dhe kryqet e tyre si dhe gjithçka fetare të tyre. Ai u garanton që kishat nuk do të përdoren si banesa nga myslimanët, do të qëndrojnë ashtu siç janë, nuk do të shkatërrohen dhe as nuk do të ndryshohen.

Nuk do u cenohen as kryqet dhe asgjë nga pasuritë e kishave. Ata do të jenë të lirë dhe nuk do të dëmtohen, dhe as nuk do të detyrohen për ta braktisur fenë e tyre”.

Për çdo gjë që është shkruar në këtë marrëveshje, ka besën e Allahut, garancinë e të Dërguarit të Tij, të kalifëve dhe të gjithë myslimanëve.

Dëshmitarë për këtë marrëveshje janë: Halid ibn Velid, Amër ibn As, Abdurrahman ibn Aufi dhe Muavije ibn Ebu Sufjan.

Marrëveshja u nënshkrua në vitin 15 h-637.

 

Artikulli paraprakPatriarku Theodosis: “Ne të krishterët palestinezë themi “Allahu Ekber”
Artikulli vijuesVIDEO – Mos u përçani (Selefi, Tekviri, Ihvani, Hanefi)