Gjuriq ankohet për dënimin e Ivanoviqit për krime kundër shqiptarëve

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Marko Gjuriq, duke folur lidhur me vendimin e kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa që të mos shkojë në Bruksel për të vazhduar dialogun, ka potencuar se Serbia vazhdon të jetë e përkushtuar që ky dialog të vazhdojë.

Ndërsa formimi i Asociacionit të Komunave serbe, sipas Gjuriqit, është i domosdoshëm për normalizimin e marrëdhënieve dhe kjo do të jetë tema e parë që do të diskutohet në Bruksel.

Ai, në një prononcim për mediat serbe, edhe njëherë ka theksuar se e konsideron thellësisht të padrejtë dënimin prej 9 vitesh ndaj Oliver Ivanoviqit, transmeton KTV.

Sipas Gjuriqit, ky vendim nuk është i bazuar në fakte dhe ngjarje të vitit 99’ dhe se ky vendim sipas tij nuk do t’i kontribuojë ngritjes së besimit më të madh në institucionet dhe sundimin e ligjit në Kosovë.

“Jam i bindur se Ivanoviqit nuk i është dhënë e drejta për gjykim të drejtë, e as hapësira për të vepruar që të dëshmojë pafajësinë e tij”, ka shtuar Gjuriq.

I pyetur se çka pret nga gjykimet për krimet e UÇK-së, ai ka thënë se “ato duhet të mbështeten në çdo hap që jep shpresë se të paktën një pjesë e tyre që janë përgjegjës për krimet kundër serbëve të gjykohen”.

“Megjithatë, serbët kanë përvoja negative me drejtësinë ndërkombëtare. Mund të them se atij gjyqi do t’i ndihmojmë sa të mundemi, dhe ai me punën e tij do të duhet të rikthejë besimin tonë në të”, ka theksuar Gjuriq.

Artikulli paraprakFara e zezë, ilaç që shëron shumë sëmundje
Artikulli vijuesStuhia e borës në SHBA lë të vdekur së paku 19 persona