Clinton: opozitë e gjerë siriane në biseda për të ardhmen e vendit

SHBA janë të shqetësuara për ndikimin e islamistëve në kryengritjen në Siri. Ato shpresojnë që opozita siriane të zgjedhë javën e ardhshme në Doha një organ drejtues.
Ministrja e Jashtme e SHBA-së, Hillary Clinton dëshiron të përfshijë sa më shumë përfaqësues të opozitës siriane në bisedat për të ardhmen e vendit. Ditët në të cilat Këshilli Nacional Sirian (SNC) ishte drejtues i negociatave dhe përfaqësues i forcave opozitare kanë kaluar, edhe nëse Këshilli vazhdon ende të luajë një rol, tha ministrja e Jashtme e SHBA të mërkurën gjatë një vizite në kryeqytetin kroat, Zagreb.
” Ne e kemi bërë të qartë se SNC nuk mund të shihet më si udhëheqës i dallueshëm i opozitës. Ata mund të jenë pjesë të një opozite më të madhe, por kjo opozitë duhet të përfshijë njerëz nga brenda Sirisë dhe të tjerë që kanë një zë legjitim që duhet dëgjuar”, tha ajo.

SHBA-ja mund të bëjë rekomandime për persona dhe organizata, të cilat mund të jenë pjesë e një organi të opozitës, tha Klintoni. Ajo e kritikoi më tej ashpër Këshillin dhe tha: “Ajo për të cilën kemi nevojë ne është një opozitë që përfshin të gjitha pjesët e shoqërisë dhe të gjitha rajonet e vendit. Ne kemi nevojë edhe për një opozitë, e cila shprehet qartë publikisht kundër ekstremistëve, të cilër përpiqen ta shtijnë në duart e tyre revolucionin sirian.”
Raportet më të fundit për depërtimin e radikalëve islamikë janë shumë shqetësuese, tha Clintoni.
SNC: Islamistët forcohen sepse mungojnë ndërkombëtarët
Këshilli Nacional Sirian, sipas mediave arabe e hodhi poshtë kritikën. Shkaku për ndikimin në rritje të islamistëve në Siri duhet kërkuar te pasiviteti i bashkësisë ndërkombëtare, thanë përfaqësues të Këshillit. Presidenti i Këshillit, Abdel Basset Saida tha më tej se përballë sulmeve të ushtrisë në Siri sundon “kaos dhe hutim”, dhe kështu është e “natyrshme” që të përhapet ekstremizmi.
Ka prej kohësh sinjale se luftëtarë islamikë nga Iraku dhe vende të tjera po ushtrojnë ndikim gjithnjë e më të madh mbi kryengritjen në Siri. Një nga brigadat më të forta në luftime të kryengritësve besohet se përbëhet nga islamistë radikalë. Përgjegjësinë për shumë nga atentatet e përgjakshme e mori përsipër Fronti islamik Al-Nusra, i cili refuzoi javën e shkuar edhe ndalimin e zjarrit gjatë festës islamike të bajramit.
Qeveria e SHBA shpreson që rezistenca deri tani e përçarë siriane të bierë dakord në bisedimet e javës së ardhshme në Doha për një organ drejtues, i cili të përfshijë përfaqësues të atyre që luftojnë në front kundër trupave të presidentit Bashar al Assad.

Artikulli paraprakSHBA: Arrin në 101 shifra e të vdekurve nga Sandy
Artikulli vijuesRexhepi konfirmoi përgjimin e “Vetëvendosjes”